Shqipëria nuk i mban, por as Britania e Madhe: Kërkesat e shqiptarëve për azil? Nuk kanë nevojë, Shqipëria “e sigurt”

0
88

Njerëzit të cilët ikin nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe nuk do të duhet të marrin në mënyrë rutinore azil, pasi cilësohet një vend i sigurt.

Deklarata u bë në Komisionin e Përzgjedhur të Çështjeve të Brendshme dhe siç raporton BBC, deputetët vunë në dukje se një rritje e migrantëve shqiptarë në Britani, kishte vënë në rrezik qytetarët.

Megjithatë, disa shqiptarë që bënin kërkesa për azil, veçanërisht gratë, ishin trafikuar dhe kishin nevojë për mbrojtje. Qeveria britanike tha se po punonte me Shqipërinë për të ndaluar migrimin e paligjshëm.

Në një raport të botuar të hënën, komiteti ndërpartiak theksoi se emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe nuk kishin gjasa të kishin nevojë për azil.

Ai theksoi shifrat që tregojnë se në vitin 2022, më shumë se një e katërta e 45,755 personave që kaluan Kanalin me gomone erdhën nga Shqipëria dhe shumica kërkuan azil.

“Shqipëria është një vend i sigurt”, thanë deputetët. “Nuk është në luftë dhe është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë bazë të qartë që Mbretëria e Bashkuar të pranojë në mënyrë rutinore mijëra kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë, konstaton komiteti”, shtuan deputetët.

Deputetët sugjeruan se faktorët nxitës për njerëzit që vinin në MB nga Shqipëria përfshinin kryesisht mundësi më të mira pune dhe paga më të larta.

Shifrat në raport treguan gjithashtu se nga janari deri në qershor 2022, 51% e rasteve shqiptare u pranuan fillimisht – shumica e këtyre pretenduesve mbërritën me tragete ose avionë dhe jo me gomone.

Komiteti tha se nëntë vende, përfshirë Gjermaninë, nuk kishin pranuar asnjë kërkesë për azil nga Shqipëria gjatë asaj periudhe. Ai i bëri thirrje Zyrës së Brendshme të shpjegonte pse shkalla e pranimit të MB ishte kaq e lartë – veçanërisht në krahasim me vendet e tjera.

Deputetja laburiste Dame Diana Johnson, kryetarja e komitetit, tha se kishte pasur “një rritje të konsiderueshme të papritur të kërkesave për azil nga një vend në dukje paqësor”.

“Ndërsa është e rëndësishme që të bëhen pyetje dhe të nxirren mësime, është e qartë se tabloja e emigracionit nuk është statike dhe do të vazhdojë të evoluojë”, tha ajo.

Deputetët rekomanduan që qeveria të promovojë vizat e punës sezonale në bujqësi dhe ndërtim për t’u dhënë më shumë shqiptarëve mundësinë të vijnë në Britani të Madhe pa bërë kalime të paautorizuara në Kanal.

Shkruaj nje koment