Shqipëria shënon numër rekord vdekjesh në 9 muajt e parë të vitit

0
150

Numri i vdekjeve është rritur me shpejtësi në tremujorin e tretë, teksa Shqipëria hyri në valën e dytë të koronavirusit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë 2020 u shënuan gjithsej 6,294 vdekje, me një rritje prej 25.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë të këtij viti kanë humbur jetën 6,294 persona, nga 5,006 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total janë shënuar 1,288 vdekje më shumë. Kjo rritje sugjeron se jetët e humbura nga koronavirusi mund të jenë shumë më të larta sesa raportohen deri tani (Zyrtarish deri dje raportohen 590 të vdekur nga koronavirusi, por këto janë raportimet vetëm të atyre që humbin jetën në spital dhe janë diagnostikuar me Covid-19).
Të dhënat historike tregojnë se tremujori i tretë 2020 ka shënuar një nivel rekord vdekjesh të paktën që prej vitit 2011, kur raportohen të dhënat nga INSTAT.
INSTAT ka rishikuar të dhënat edhe për tremujorin e parë 2020, duke i rritur ndjeshëm statistikat (për shkak të karantinës së marsit, të dhënat ishin paraprake). Edhe në tremujorin e parë numri i vdekjeve të shënuara ishte rekord, prej 6,115 persona, për të rënë ndjeshëm në të dytin, në 4,989 humbje jete, që përkon me periudhën kur vendi ishte në karantinë.
Në total për 9 mujorin janë shënuar gjithsej 17.4 mijë jetë të humbura. Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, kjo shifër është rreth 9% më e lartë sesa mesatarja historike e 9 viteve, 2011-2019. Numri i vdekjeve për 9 mujorin, ia kalon vitit 2015 që deri tani kishte shënuar rekordin e dekadës së fundit.
Ndërsa vetëm për tremujorin e tretë 2020, vdekjet janë gati 30% më të larta sesa mesatarja historike e periudhës 2011-2019 (mesatarja e 2011-2019 është 4,988 persona).
Mesatarisht në tremujorin e tretë kanë humbur jetën 68 persona në ditë nga 60 që ishte mesatarja e 2019.
Sipas INSTAT, Në tremujorin e tretë 2020,në të dymbëdhjetë qarqet e vendit shënohet rritje e numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në tremujorin e tretë2020,numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 138 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.706 vdekje. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 e ka qarku i Vlorës, me 2,6%, ndërsa rritjen më të madhe në përqindje e ka qarku i Lezhës, me 46,4%./ Burimi: Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here