Shtatë mitet për demokracinë që rrënoi Rama

0
159

Nga Red Varaku

Shoqëria shqiptare është në kolaps sepse janë rrënuar mitet kryesore që mbajnë në këmbë një shoqëri të shëndetshme dhe një sistem demokratik. Në fakt, janë më shumë , por shtatë konsiderohen më të rëndësishmet.

Miti i parë: Demokracia është sistemi më i mirë politik.

Shumë njerëz mendojnë që kjo nuk është e vërtetë. Ata mendojnë që Shqipëria është kthyer në një oligarki dhe për këtë fajësojnë demokracinë. Madje, disa prej tyre besojnë, që kanë qenë më mirë në komunizëm. Sipas tyre vendi është nën kontrollin e një elite të vogël të korruptuar, e cila është kundër popullit të saj, dhe kjo nuk ndryshon shumë nga koha e diktatures, ku një grup i vogël sundonte shumicën. Miti i demokracisë thjesht jep iluzionin që populli ka në dorë sistemin.

Miti i dytë: vota është e lirë dhe njerëzit besojnë tek vota e lirë.

Njerëzit nuk besojnë më që nëpërmjet votës së tyre mund të ndryshojnë realitetin. Blerja e votës, presionet, shantazhet, emërimi i kandidatëve nga grupet e kriminale, exit poll-et e manipuluara, reforma zgjedhore e vitit 2008, të gjitha këto kanë bërë që vota të mos konsiderohet si votë e lirë, por e manipuluar nga një establishment tërësisht i korruptuar.

Miti i tretë: shtypi është i lirë.

Shtypi është i kapur dhe është shndërruar në një kurtizane të pushtetit. Gazetaria është kthyer në farsë. Populli blen gazeta, ndërsa politika blen pronarët e gazetave. Ata fitojnë miliona çdo vit në këmbim të make up-it falas për njerëzit e pushtetshëm.Fjala e lirë është kthyer në propagandë te pastër në favor të pushtetit.

Miti i katert: sistemi i drejtësisë është i pavarur.

Sistemi i drejtësisë është i kapur dhe kontrollohet nga pushteti! Të drejtat kushtetuese bazike janë të pagarantuara. Qytetarët janë të detyruar të heqin dore me vetëdije nga disa të drejta që ia jep kushtetuta, ndërsa qeveria arrin deri aty sa lobon kundër të drejtës së qytetarëve të saj edhe deri në gjykatën e Strasburgut.

Miti i peste: policia mbron popullin.

Policia mbron dhunuesit e popullit. Ajo është e lidhur me krimin dhe i shërben krimit. Nëse deri dje policia shikohej si aleat me qytetarin, sot ajo është kthyer në kërcënuesen më të madhe të jetës së qytetarëve. Një polici që ka hequr dorë nga mbrojtja e qytetarëve dhe është vënë e tëra në shërbim të krimit. Ajo funksionon si organizatë kriminale, që informon kriminelët dhe i mbron ata, si dhe kontrollon e trafikun e drogës.

Miti i gjashtë: ndershmëria është virtyti më i lartë në një shoqëri demokratike.

Ndershmëria është virtyt i budallait. Njerëzit e ndershëm rezultojnë si më të dënuarit nga ky sistem. Ata përbuzen dhe konsiderohen të paaftë. Ata janë të pakënaqur me realitetin, sepse shohin njerëz të pandershëm, njerëz servilë dhe pa dinjitet, që jetojne në luks të shfrenuar, ndërkohë njerëzit punëtorë dhe të ndershëm mezi mbyllin muajin.

Miti i shtatë: njerëzit janë të lirë.

Njerëzit nuk janë të lirë. Ata ndjehen të kontrolluar në çdo hap të jetës së tyre. Ata kërcënohen çdo ditë me bukën e gojës. Frika për të thënë hapur atë që mendon ka filluar të hedhë sërish rrënjë. Institucionet kanë rënë dhe “hallet” i zgjidhin “të fortët”. Kriminelët,sipas Roberto Savianos, janë dhunues më të mëdhenj të popullit edhe se vetë diktatorët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here