Shtim i patrullave për kontrolle, Policia shpalos planin e masave të fundvitit

0
75

Policia e Shtetit, gatishmëri të plotë për të garantuar rendin dhe sigurinë, me rastin e festave të fundvitit.

Masat shtesë, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër, në akset rrugore dhe në qendrat e banuara.

Për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit, Krishtlindjeve, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2024, Policia e Shtetit ka hartuar një plan te detajuar masash, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, pasi prej dy ditësh ka fluksit të madh në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të hyrë në Shqipëri.

Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.

Masat e marra kanë për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrollin ndaj personave me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative, sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale.

Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.

Ndërkohë, vijon kontrolli ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Për netët festive, por dhe gjatë ditëve të fundit të vitit do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke bashkëpunuar edhe me policitë bashkiake përkatëse.

Shkruaj nje koment