Rreth 3 muaj më parë Maroku u përfshi nga revolta mbarë popullore, të ngjashme me ato të “Pranverës arabe”. Bëhej fjalë për një ligj dhe marrëveshje të qeverisë së këtij, vendi për të lejuar miliona mbetje të Italisë drejt këtij vendi turistik të Afrikës.
Qeveria marokene kishte vendosur në fillim të vitit, nëpërmjet një ligji të ngjashëm me atë që ka miratuar së fundmi qeveria dhe deputetët nën kontrollin e Edi Ramës, lejimin e importit të mbetjeve në vend. Ky ligj në Marok u shfrytëzua më pas për përpilimin e një marrëveshje me qeverinë italiane, për të pranuar rreth 5,5 për qind të mbetjeve vjetore të këtij vendi që shkonin në total, rreth 5 milionë tone plehra kryesisht plastikë për një periudhë tre vjeçare.
Por shumë shpejt nga media dhe shoqëria civile me në krye shoqatat ambientaliste, këto vendime të qeverisë u dekonspiruan. Kjo bëri që shumë shpejt në Marok të ngrihej një valë e madhe zemërimi nga qytetarët të cilët shprehën shqetësimin, se mbetjet, ndryshe nga sa proklamonte qeveria e tyre mund të përmbanin elementë toksikë. Shqetësimet u rritën edhe më shumë pas thirrjeve nga marokenët e shumtë që jetojnë në Itali, të cilët në bashkëpunim me shoqatat ambientaliste aty zbuluan, se plehrat “e gjelbërta” që ishin destinuar për në Marok, kanë përmbatje të lartë kancerogjene.
Kaq mjaftoi që Maroku të përfshihej nga protesta masive të qytetarëve, të cilët si fillim bllokuan dhe kërkuan kthimin mbrapsht të ngarkesës së parë prej 2500 tonëve plehra që ndërkohë kishin mbërritur në portet marokene.
Paralelisht me këto protesta masive u firmos një peticion nga qindra mijra marokenë, të cilët pretendonin se plehrat italiane përmbanin “elementë toksikë” dhe i dhanë ultimatum qeverisë së tyre për të ndalur planet për ta kthyer Marokun, në një “qendër të grumbullimit të mbetjeve ndërkombëtare”.
Një koalicion i gjerë i shoqërisë civile i quajtur “Koalicioni për Drejtësi Klimaterike” i kërkoi qeverisë që të bënte publike marrëveshjen me Italinë, por qeveria refuzoi të bënte transparencë.
Përveç rrezikut ambientalist dhe të jetës, kundërshtarët e planit të qeverisë marokene ngritën gjithashtu edhe pikëpyetje mbi ligjshmërinë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, të dërgimit të mbetjeve me rrezikshmëri në vende që nuk kanë kushte për trajtimin e sigurtë të tyre.
E njëjta gjë po kërkohet sot edhe në Shqipëri, por duket se kryeministri Edi Rama, nuk “dëgjon nga ky vesh” duke treguar se është i vendosur në rrugën që ka nisur.
Indentike ishte sjellja e qeveria marokene, me atë të Edi Ramës sot. Nëpërmjet medieve të saj, angazhimit të ministrave dhe politikanëve, ajo u mundua ta qetësonte popullsinë duke theksuar se plehrat ishin të parrezikshme. Përdredhjet e qeveritarëve dhe veçanërisht ministrit të Mjedisit nuk jepnin asnjë përgjigje bindëse, si dhe e ndryshuar versionin e qëllimit të ligjit të paktën dy herë, raportonte atëherë përditshmja “Al Ahdath”. Kjo gazetë shtonte se qeveria marokene, Brenda një kohe të shkurtër mbeti e vetme në argumentet e saj për importin e pehrave, pasi tentative e tyre u kthye në një skandal të vërtetë mbarë kombëtar.
Kjo tentativë mashtruese u hodh poshtë me forcë dhe argumente të shumta nga shoqatat mjedisore dhe përfaqësusit e shoqërisë civile.
Në atë kohë një nga ekologjistët më me emër në vend, Benata Mohamed, në gazetën “Marocon Times” deklaroi se, “si zakonisht, autoritetet e vendit mbajnë fjalime ‘shumë të gjelbërta’ në dukje, por faktikisht është krejtësisht e kundërta”.
Në fillim të kësaj vere, revolta dhe trysnia popullore u bë aq e madhe, sa që detyroi, qeverinë marokene të anulojë marrëveshjen me Italinë, të anulojë ligjin për importin e plehrave dhe të rivendosë ndalimin e tyre për një kohë të pacaktuar.
Kjo ishte një fitore e madhe e popullit maroken, i cili e zbythi qeverinë e tij nga një rrugë e rrezikshme ku po fuste vendin i cili po shndërrohet në një destinacion të preferuar turistik me plazhet e mrekullueshme që ka njësoj si Shqipëria.
Pas kësaj, mediet italiane botuan informacione të shumta, sipas të cilave kompanitë italiane dhe qeveria ishin duke kërkuar mundësi dhe vende të tjera për dërgimin e mbetjeve që refuzoi pas revoltave, qeveria e Marokut.
Dhe duket se këto kompani përtej detit pak muaj më pas, e kanë gjetur “eurekën” e tyre, pas ligjit të dyshimtë dhe jo transparent që vendosi kryeministri Rama me të tijët.
Fushat e Terra dei Fuchi janë në pritje të zbrazjes së plastikës dhe kartonave pas dështimit të “Projekti Maroku”. Historia e këtyre plehrave e trajtuar gjerësisht nga mediet italiane është ajo ku përzihen mafia, Kamorra, korrupsioni dhe politika.
Problemi kryesor i mbetjeve të kësaj zone është opinioni i përhapur gjerësisht, se mbetjet e atjeshme mund të kenë përmbajtje toksike apo kancerogjene, sikurse u pretendua nga investigimi i policit Roberto Mancini i cili e bëri publik skandalin e plehrave, por që vdiq më pas për ironi të fatit në vitin 2014, nga një lloj kanceri në gjak, pretenduar se e kishte marrë nga kontakti me plehrat.
Deri këtu gjithçka ngjason me një Déjà vu që po ndodh në vendin tonë. Tani pritet vetëm fundi. A do të jetë e aftë shoqëria shqiptare ta zbyth këtë qeveri që po tenton të helmojë “me ligj” Shqipërinë?.
Përgatiti SYRI.net