Si u manipuluan pensionet ndër vite, 800 mijë punonjës paguan sigurime për 687 mijë pensionistë

0
74

Mashtrimi me sigurimet është një tjetër vepër penale që ka goditur skemën e pensioneve. Falsifikimi i dokumenteve, llogaritjet fiktive dhe ndryshimi i viteve të kontributive, kanë sjellë padrejtësi të bëra nga individë të caktuar apo punonjës të sigurimeve shoqërore.

Çfarë parashikon Kodi Penal për falsifikimet në lidhje me kontributete:

“Paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022 janë regjistruar 2152 kallëzime në Prokurorinë e përgjithshme, me numrin më të madh të cështjeve që kanë kulmuar në vitin 2016 me 726, dhe numrin më të ulët në vitin 2021 me 16 të tilla. Mundësitë për abuzime vitet e fundit janë ulur, për shkak të heqjes së sporteleve dhe shmangies së kontaktit të drejtpërdrjetë mes nëpunësit që llogarit shumat përfituese dhe individit. Pra, në mesin e dhjetra problemeve që mbart skema, integrimi i dokumenteve në e-albania ka ulur nivelin e abuzimeve.

Në raportin e fundit të sigurimeve shoqërore, ku bëhet një pasqyrim i plotë i skemës për vitin 2022, ishin 801 480 njerëz që derdhën kontribute, dhe 686 923 njerëz që përfituan pensione. Nga këta 586 mijë përfitojnë pensione urbane dhe 101 mijë marrin pensione rurale. Të dhënat tregojnë se të ardhurat mesatare për pensionet e qytetit ishin 18 615 lekë ndërsa, për ato të fshatit 10 888 lekë. Me këta tregues, pagesat janë rreth 5 herë më të ulëta se paga mesatare dhe ky hendek mund të thellohet më tej, me rritjen e pagave përgjatë 2 viteve të ardhshme.

Shkruaj nje koment