
Nga Nebil Çika
Dje mora nga Autoriteti i Sigurimit të Shtetit dosjen e tim ati Sorkadh Çika, i burgosur politik.
Përveç dosjes së dënimit në 1950, kishte edhe një dosje tjetër përpunimi, ndjekje për spiunazh nga 1970 deri në 1992.
Një ndjekje e pashembullt, kontroll total me dhjetëra spiunë e oficerë të sigurimit e deri forcat e kufirit dhe aktiviste partie e pushteti .
Shtëpia jonë në Borsh kishte qenë e sugjeruar 24 orë në 24 nga spiunët që raportonin hyrjet e daljet me njerëzit si dhe sjelljet e tim ati dhe në të tjerëve.
Në vëzhgim e kontroll të Sigurimit ishin të gjithë të afërmit edhe vëllezërit e motrat e tij nipër e mbesa madhorë kushërinjtë e parë , bashkëshortët e tyre, miq e bashkëvuajtës të tij veçanërisht pjesëtarë të “grupit armiqësor ” që ishin dënuar bashkë me të që në 1950 disa prej të cilëve edhe ishin pyetur nga Sigurimi .
Ishin të bindur se po riorganizohet “grupin armiqësor ” dhe kryente veprimtari spiunazhit .
Ndjekja e tij drejtohej nga drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit në Tiranë dhe zbatohej nga degët e Punëve të Brendshme në Sarandë e Vlorë.
Nga 1971 -1980 ishte në 2b nga 1980 – 1990 ishte në përpunim 2A, që do të thotë se dy agjentë e ndiqnin vazhdimisht kudo që shkonte dhe mund të arrestohej në çdo moment .
Kishte shumë agjentë e bashkëpunëtorë te sigurimit në ndjekje të tij por me aktivët ishin “Bistrica”, “Portokalli”, “Paulina”, “Luani” ” Stalineci” , “Goliku ” , shumë të tjerë janë me emra e mbiemra realë dhe të njohur për ne.
Disa nga punëtorët e Sigurimit që e kanë sajuar këtë skenar ogurzi janë: Ylli Hila , Qirjako Kushta, Xhafer Saliu Saliu, Pëllumb Luçi, Xhevair Ujka, Mevlud Matraku.
Pa përmendur këtu ata të Drejtorisë së Tretë të Sigurimit në Tiranë si dhe ata sigurimit të Vlorës e Gjirokastër, që janë përfshirë herë pas here në këtë përndjekje tagjikomike 22 vjeçare .
Intriga e Sigurimit i kalonte çdo kufi të fantazisë njerëzore .
Thonë se një nëndetëse e huaj, zbarkonte diku midis Borshit dhe Himarës dhe Karaburunit , do të kontaktonte me babain i cili ishte edhe koordinatori (ndërlidhësi) kryesor i spiunazhit me ta . Jepte të dhëna sekrete të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë shërbimit sekret grek dhe merrte nga ata udhëzime për grupin e spiunazhit në Shqipëri.
Sipas tyre dy miq të tim ati, Hamdi Kondi dhe Mehmet Osmani nga Shalësi i Konispolit që im at i kishte ndihmuar në arratisjen e tyre në Greqi dhe ishte dënuar për këtë në 1950, do të zbarkonin me nëndetëse dhe kishin planifikuar të merrnin grupin pasi të mbaronin misionin e spiunazhit .
76 faqe me raportime nga spiunët dhe oficerët e sigurimit, të gjitha gënjeshtra, udhëzime nga drejtuesit e drejtorisë së tretë të Sigurimit etje.
Një skenar e ndjekje kaq e rreptë me kaq shume njerëz e me kaq fantazi te shfrenuar që as në filma nuk e kam parë .
Përshtypje bën ndjekja e tij, pas 1990 në përpunim 2B, (ne ndjekje me dy bashkëpunëtorë) deri në 9 prill të 1992, ndërkohë që Sigurimi, zyrtarisht ishte shkrirë në gusht të 1991 .
Në këtë datë operativi Xhevair Ujka qe e ndiqte dhe shefi i SHIK për Sarandën, Mevlud Matraku kanë urdhëruar ndërprerjen e përpunimit dhe arkivimin e dosjes së përpunimit .
Tani që ço e lexoj me duket babai si agjenti 007 .
Nga kjo përvojë e imja inkurajoj të gjithë bashkëvuajtësit dhe qytetarët e tjerë të mos i nënvlerësojnë informacionet e sigurimit për vete ose familjarët e tyre.
Ju garantoj se nuk dimë shumë gjëra nga ata skenarë ogurzi që ata kanë përgatitur ndaj nesh dhe familjeve tona .
Ju them atyre që janë kundër hapjes në shpinë të viktimave të Sigurimit së dosjeve të rrinë në hallin e tyre dhe ata në konflikt interesi i garantoj që emrat dhe punët e tyte të ndyra i kanë atje, në ato dosje ë krimit komunist .
Më ka befasuar fakti, sa shumë aktiv ka qenë Sigurimi në periudhën e ndërrimit të sistemeve 1990 – 1992.
Kjo është vetme pak nga ajo që ka dosja e tim ati , ku përfshihen edhe persona të tjerë që un do ti bëj publike në librin që po shkruaj: “Biri i armikut” .