Situata pas tërmetit, pse fshihet përgjegjësi kryesor i punëve?

0
129

Nga Bujar Nishani

Fatkeqësia natyrore që goditi shqiptarët është e dhimbshme dhe megjithë fatalitetin që solli në humbjen e shumë jetëve dhe rrënimin e pasurisë së vetme e modeste të qytetarëve në këtë vend, shtëpive të tyre, ajo do të kalojë mes përpjekjeve, sakrificave dhe solidaritetit po të njerëzve e mes njerëzve.

Ajo që duhej të ishte më eprorja dhe më lehtësuesja në një fatkeqësi masive civile, serioziteti dhe angazhimi i shtetit, rezultoi më inekzistenti, më i pafuqishmi dhe më i pashpresi.

Në shtatorin e kaluar zona e perimetrit Durrës-Tiranë u godit rëndë nga një tërmet i cili sipas specialistëve rezultoi të ishte më i fuqishmi në 30-40 vitet e fundit.

Për fat nuk pati viktima njerëzore por shumë dëme materiale duke dobësuar maksimalisht sigurinë e shumë objekteve të jetesës për njerëzit.

Në vend që shteti e qeveria të ngrihej në këmbë e të mos ulej më deri në eleminimin e çdo rreziku qoftë dhe milimetrik, energjitë dhe fuqia e shtetit u ndez tek propaganda dhe dhuna verbale mbi këdo që evokonte përgjegjësinë e shtetit.

Asnjë vlerësim rreziku dhe zero angazhime për të garantuar sigurinë maksimale mbi qytetarët e dëmtuar pas tërmetit të shtatorit.

Si për fatin më të zi të shqiptarëve dy muaj më pas goditja tjetër, varrosi nën rrënoja 50 shqiptarë të mirë dhe la në mes të rrugës mijra të tjerë.

Pabesia e fatkeqësisë natyrore është e paparashikueshme, e pashmangshme e pafrenueshme por kufizimi dhe lehtësimi i fataliteteve mundet.

Por ai kërkon seriozitet, aftësi, përgjegjshmëri dhe njerzillëk.

Jo palaçollëk teatral !

Nuk mund të thuash se egërsia e goditjes në mesnatë nuk mund të merrte edhe jetën e njerëzve të mirë të këtij vendi por kur sheh se shumica e fataliteteve u shkaktua ndër ato objekte që ishin gati për kolaps që prej goditjes së shtatorit dhe se shteti i tyre, qeveria e tyre nuk e kishte vënë “ujin në zjarr” për çfarë i rrezikonte shqiptarët, ndihesh jo thjesht i rrevoltuar për këta barbarë por kërkon me të drejtën e ligjit dhe Zotit, hetim, hetim dhe vetëm hetim të përgjegjësisë kriminale që më së paku i shtoi viktimat e pabesisë së natyrës që pati aleatë të vetëm këtë papërgjegjshmëri, paaftësi dhe cinizëm kriminal të atyre që paguhen nga shqiptarët që të kujdesen e ti mbrojnë ata.

Do të ishte fare e kotë (për fat të keq) të denonconim sot lënien pa struktura, pa mjete, pa buxhet të atij që duhet të jetë mekanizmi i parandalimit dhe shpëtimit nga fatkeqësitë civile të qytetarëve shqiptarë.

Ai mekanizëm që ishte ndërtuar e funksiononte u hoq fare nga Ministria e Brendshme dhe u la në hava !

Edhe një sallë operacionale emergjencash që ishte ndërtuar në Ministrinë e Brendshme me ndihmën dhe eksperiencën e çmuar të agjencive homologe të Italisë u zhduk nga faqja e dheut e nuk dihet si përfundoi.

Kjo e gjitha sepse një qeveri që nuk ka prioritet qytetarin por klientët që ndan hajninë, që nuk e ha meraku për sigurinë e jetës së shqiptarëve të thjeshtë por miliardat e bizneseve private të hajnave xhahilë, nuk mund të ndërtojë mekanizmin për garancinë e jetës së popullit por PPP-të e milionave në xhepat e fëlliqur të korrupsionit.

Sot, kur më shumë se çdo gjë, përtej ngushëllimit, përtej solidaritetit, përtej gatishmërisë së miqve, na nevojitet serioziteti i shtetit dhe sakrifica e qeverisë, i papërgjegjshmi na cakton në krye të kësaj përgjegjësie madhore, në majën e vendimmarrjes më të vështirë, Ministri i Bujqësisë !!!

Nuk më shqetëson injorimi dhe diskretitimi që i bëhet në këtë rast Ministrit të Brendshëm, si autoriteti kryesor, që duhet të menaxhojë një situatë të katastrofës së brendshme, sepse kjo qeveri nuk e ka konceptin e Ministrisë së Brendshme.

Ajo është rikthyer tek koncepti i Ministrisë së Policisë për atë institucion, se nga ajo kulturë politike kanë dalë, me atë janë rritur dhe vetëm tek dhuna besojnë.

Forca burracake e kësaj qeverie shkon veç deri tek dera e ndonjë gazetari të pa mbrojtur por nuk ka këllqe ti afrohet një milimetër hallit të lehtësimit të njerëzve të mbetur në mëshirën e fatit.

Përgjegjësi kryesor i punëve i fshihet detyrës e ja hedh atë në kurriz Bledi Çuçit !

Kjo nuk ka ngjarë tjetër kund në kësi rrethanash !

Ndaj të gjithë shqiptarët e përgjegjshëm i shqetëson papërgjegjshmëria dhe niveli i seriozitetit të kësaj qeverie dhe kreut anarkist të saj, si deduktorë që e shtojnë rrezikun dhe pasojën fatkeqe që vërtet vjen nga pabesia e natyrës por rëndohet nga paaftësia, papërgjegjshmëria dhe cinizmi dehuman i një qeveria që prodhon vetëm kaos e anarki në çdo rast.

Edhe në fatkeqësi!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here