Skandal me fondet e UEFA-s, bllokohen llogaritë e FSHF-së për transferta të jashtëligjshme

0
136

Institucionit më të lartë të futbollit, Federatës Shqiptare të Futbollit i janë bllokuar llogaritë bankare.

Sipas Panorama Sport llogaritë bankare i janë bllokuar FSHF-së për shkak të disa transaksioneve të dyshimta të parave, duke bërë shkelje të rënda njëra pas tjetrës.

Sipas të njëjtave burime, dje në zyrat e FSHF-së janë paraqitur dy persona, që rezultuan se ishin përfaqësues të një zyre përmbarimore.  

Shkak për bllokimin e llogarive të FSHF-së është bërë fakti që paratë e së drejtës televizive dhe paratë që UEFA ka akorduar për klubin Tirana nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një vit më parë, nuk janë derdhur në llogaritë bankare të 25 herë kampionëve të Shqipërisë, por në llogari të tjera. Në mes është futur përmbarimi dhe më pas skandali ka marrë përmasa të frikshme.

Klubit të Tiranës i takonte të merrte rreth 1 milion euro shpërblim, pasi kaloi dy ture në Champions dhe arriti deri në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë. Shpërblimet për arritje të tilla UEFA i akordon në vitin pasardhës dhe i derdh në llogaritë e federatave përkatëse (në këtë rast FSHF-së), të cilat më pas ua kalojnë klubeve. Ndërkaq, klubit i takonin edhe afro 65 mijë euro nga e drejta televizive.

Po çfarë ka ndodhur? Tirana i ka llogaritë bankare të bllokuara për shkak të një gjyqi të humbur me ish-presidentin e ndjerë të klubit bardheblu, Metush Seferi. Kjo çështje është fituar në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe tani e ka marrë në dorë përmbarimi, duke ia bllokuar llogaritë Tiranës prej disa kohësh.

SKANDALI I FSHF-së

Federata është njoftuar nga zyra përmbarimore se klubi Tirana i ka llogaritë të bllokuara dhe për çdo transfertë që do të bëhet në arkat e bardhebluve, do të duhet të njoftojnë përmbarimin, siç e parashikon edhe ligji. Mirëpo, FSHF-ja ka shpërfillur totalisht ligjet e shtetit, duke i kaluar Tiranës paratë e UEFA-s në rrugë të tjera. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se pas disa njoftimeve me shkresë në adresë të FSHF-së nga zyra e përmbarimit, “se ku janë paratë që ka akorduar UEFA dhe ato të së drejtës televizive për Tiranën dhe si i kanë kaluar ato klubit bardheblu ndërkohë që llogaritë i ka të bllokuara”, atëherë kanë paralajmëruar se do t’i bllokojnë llogaritë edhe FSHF-së. Pasi i kanë lënë kohë mjaftueshëm dhe janë kryer të gjitha procedurat, ka ardhur edhe vendimi për t’i bllokuar llogaritë FSHF-së.
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të sfidojë shtetin dhe të kryejë transaksione parash me kundërvajtje të tilla, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke “bekuar” paligjshmërinë mbi transparencën financiare në futbollin që ajo organizon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here