Ajo që po ndodh me banorët e fshatit Kalivac, mund të quhet pa frikë, në kufijtë e tmerrit. Banorët e këtij fshati, konsumojnë ujë kanali për të pirë. Kalivaci dikur kishte 3 burime të ujit të pijshëm, ndërsa tani asnjë, pasi firma e ndërtimit të HC, i ka zhdukur një herë e përgjithmonë. Banorët i falen një kanali brenda në ish kantierin e ndërtimit të hidrocentralit ku në të, mbushin ujë pasi shpresojnë se është i pastër. Asnjë pikë ujë nuk shkon në rubinetat e cesmave të tyre qysh prej 2004. Apelet e njëpasnjëshme të tyre për të rregulluar gjendjen në fjalë, kanë rënë në vesh të shurdhët tek qeveria shqiptare apo dhe pushtetit vendor. Zgjidhja e vetme, është kanali që po shikoni në fotot e servirura nga jugunews, nga ku rrjedh një burim i nëndheshëm ujor mjaft i dyshimtë për cilësinë e tij. Fatmirësisht deri tani, nuk ka pasur raste fatale tek konsumatorët si pasojë e konsumimit, por hepati apo dhe infeksione të ndryshme, nuk kanë munguar tek ta e sidomos tek fëmijët apo dhe të moshuarit.