Afrimi drejt fundit i fushatës elektorale dhe rezultatet të dala nga anketimet dhe sondazhet paraprake duken se e kanë trembur realisht kandidatin e LSI Vangjel Tavo.
I vënë përpara faktit të një rrëshqitje të rezultatit të LSI në Dropull, burime në krahinë thonë se ai ka degraduar retorikën e tij, hedh akuza pa baza e sajon histori te paqena duke deformuar edhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
Por më i rëndë akoma është fakti që përpiqet të hapë panik, duke shpikur se në qoftë se votohet Edi Rama, banorëve do i’u hiqen dokumentet greke!!
Kjo sajesë është një absurd i madh, pasi dhënia ose heqja e dokumenteve nuk përcaktohet as nga Tavo e as nga Rama, por nga autoritetet greke me një procedurë shumë rigoroze e pa lidhje me politikat e brendshme shqiptare.
Duket se situata në Dropull dhe në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës e ka trembur aq shumë kandidatin e LSI sa që po detyrohet të përdorë këto forma të ulëta presioni për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.
Ndaj, qytetarë minoritarë, emigrantë, kudo jeni ne Greqi, rrini të qetë, sepse kartat e rezidencës greke nuk janë si kartat e anëtarësisë partiake që shkëmbehen me vende pune dhe vota dhe rezultati i zgjedhjeve te vendit fqinj nuk është kurrsesi kriter për aprovimin e këtyre dokumenteve.