Sot, 19 vjet pa Azem Hajdarin, biografia e liderit me jetë të trazuar që shembi diktaturën

0
180

Vitet ’90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vite epokale të saj. Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës doli studenti me guxim të pashembullt, Azem Hajdari kundër diktaturës në Shqipëri. Ai formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë fund këtij regjimi, shkruan sot Rilindja Demokratike.

Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, për herë të parë doli në publik parulla “Liri, demokraci…” që nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë së shkallmuar. Në mbështetje të kësaj lëvizjeje ishte edhe Dr. Sali Berisha, intelektualët dhe demokratët e tjerë gjithandej Shqipërisë. Azem Hajdari ishte një figurë e plotë kombëtare, intelektual, politikan dhe mbi të gjitha demokrat.

Duke pasur tiparet e një udhëheqësi të madh me vizion të qartë, fitoi simpatinë e mijëra të rinjve e të rejave, të punëtorëve, të atyre që kishin vuajtur e që po vuanin ende në birucat e errëta në Shqipërinë e stërlodhur.

Pas aplikimit të pluralizmit, Azem Hajdari, zgjidhet kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike shqiptare, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktaturë në Shqipëri. Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë.
Në vitin 1992, Azem Hajdari zgjidhet deputet i Shkodrës nga Partia Demokratike dhe deri në fund mbetet besnik i ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik e të zhvilluar.
Në vitin 1996, Azem Hajdari zgjidhet prapë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1997 iu kundërvu atyre që e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë. Për këtë shkak në Parlament, ai u godit nga një atentator, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes.

Nga një dorë mizore u vra më 12 shtator 1998, pikërisht 19 vjet më parë, kur sot eshtrat e tij po bartën në “Varrezat e Dëshmorëve”. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie përparimtare evropiane dhe ndaj njeriut, i cili bëri aq shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.

Azem Hajdari ishte djalë i një familjeje punëtorësh dhe vetë vinte nga kjo klasë e nderuar derisa studioi për shkencat filozofike, më pas jurisprudencën, pavarësisht se ishte me dy fëmijë. I njohur për shpirtin e tij “rebel”, një opozitar i përjetshëm, por dhe një njeri shumë studioz dhe me etje për të mësuar, Hajdari nuk mungoi që të ishte në qendër të opinionit publik për drejtësinë e fjalës së tij.
Duke e përjashtuar veten nga të gjitha postet qeverisëse apo legjislative, pas fitores së PD në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Hajdari jo pak herë do të dilte dhe kundër asaj që mendonte se nuk po bëhej drejt në PD. Gjithë bashkëkohësit e asaj periudhe kujtojnë jo pa emocion momentet kur ngujohet në grevën e urisë të ish-të përndjekurve politikë në vitin 1994. Ai i kushtoi gjithë jetën demokracisë dhe partisë që lindi, duke besuar gjithnjë te lideri i kësaj partie, Berisha, në implementimin e shtetit të së drejtës.

Kjo është biografia e shkurtër e një lideri me jetë të trazuar, një njeriu që shembi diktaturën dhe solli pluralizmin në Shqipëri.

Burimi: RD

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here