Sulmi kibernetik ndaj TIMS, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

0
206

Prokuroria e Tiranës ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS, i cili rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë.

Sipas hetimeve paraprake, sulmi i tri ditëve më parë ndaj sistemit TIMS është kryer me të njëjtën tipologji dhe nga i njëjti burim.

Si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve. 

Në ushtrim të kompetencave të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjithë agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete. 

Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe po vijojnë.

Tri ditë më parë, një tjetër sulm kibernetik vuri në shënjestër sistemin TIMS, duke shkaktuar probleme në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend. Për pasojë, në sportele u krijuan radhë të gjata dhe vonesa.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here