Një mësues pensionist, është sulmuar me qëllim grabitjen, nga dy persona në qytetin e Këlcyrës. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë ndërkohë që Policia e Përmetit, nuk ka dhënë asnjë detaj rreth saj. Dhimitër Qyra 66 vjec mësues i dalë në pension, është goditur me sende të forta në të hyrë të pallatit ku banon, por ka shpëtuar nga reagimi i banorëve të tjerë të pallatit, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë sapo kanë dëgjuar klithmat e 66 vjecarit. Mësohet se Qyra, kohët e fundit, ushtronte kambizëm dhe duket se keqbërësit, e kanë vëzhguar atë deri sa kanë gjetur momentin për t’a sulmuar fizikisht duke u ndihmuar edhe nga muzgu në të errët. Pensionisti ka pasur një sasi të konsiderueshme të hollash në xhep në momentin e agresionit, por keqbërësit, nuk arritën dot t’ia merrnin pasi kanë ndërhyrë komshinjtë e pallatit. Rasti nuk është bërë publik nga Policia e cila nga ana e saj, ndonëse ka marrë dëshmitë e të dëmtuarit apo dhe dëshmitarëve okularë, nuk ka arritur dot të identifikojë keqbërësit të cilët kanë qenë dy persona jo të maskuar.