“Të bësh korrupsion dhe të jesh krenar për Gonxhen”, ironizon Fuga: I fortë duhet të jesh si hipokrit ta bësh!

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës për administratën publike, është ditë pushimi. Akademiku Artan Fuga ka ironizuar pikërisht administratën duke shtruar pyetjen nëse “mund të jesh edhe rob i vesit të interesit material si vlerë kryesore e jetës dhe njëherësh krenar që Gonxheja ishte shqiptare.”

Në një postim në Facebook, Fuga shkruan se të bësh korrupsion, të jetosh mes luksit dhe njëherësh të ndjehesh krenar për origjinën shqiptare të Nënë Terezës, “duhet të jesh i fortë si hipokrit që ta bësh”.  

“A mundesh pra të jesh edhe rob i vesit të interesit material si vlerë kryesore e jetës tënde dhe të thuash se je krenar që Gonxheja ishte shqiptare!  I fortë duhet të jesh si hipokrit ta bësh! Ose je budalla që nuk kupton se çfarë flet! Nuk kupton kush je, sepse hipokrizia të pengon të shohësh thellë brenda teje!”, shkruan Fuga.

Postimi i plotë:

Kjo pyetje më mundon:

A mundesh njëherësh të bësh korrupsion, kurrë të mos ndihmosh financiarisht solidaritetin social, të kërkosh tendera dhe projekte me të gjitha energjitë korruptive, duke shkëmbyer privilegje, mos bësh asgjë vullnetare, të kërkosh pasuri pa fund, sende lluksi, të përbuzësh atë që rri te kafja veshur me rroba Gabi, të mbledhësh pasuri në miliona euro, të jetosh në supervila, dhe njëherësh të thuash se sot e kemi pushim meqë përkujtojmë Nënë Terezën!

A mundesh pra të jesh edhe rob i vesit të interesit material si vlerë kryesore e jetës tënde dhe të thuash se je krenar që Gonxheja ishte shqiptare!

I fortë duhet të jesh si hipokrit ta bësh! Ose je budalla që nuk kupton se çfarë flet! Nuk kupton kush je, sepse hipokrizia të pengon të shohësh thellë brenda teje!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment