Të mos gjykojmë me “syzet” e partisë, por me dritën e së vërtetës dhe drejtësisë. Vetëm kështu mund të shërohet ky vend

0
69

Nga Namir Lapardhaja

Përgjimet e fundit që po publikohen në media nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se vërtetojnë kalbëzimin e plotë të të gjithë sistemit. Metastazat janë aq të mëdha saqë trupi duket i vdekur plotësisht. Kjo klasë politike është bërë oksigjen i korruptimit të të gjithë shoqërisë. Jo vetëm këta që janë sot në pushtet, por edhe ata dje, kanë mbijetuar nëpërmjet të njëjtave metoda. Nga drejtuesit më të lartë të policisë tek niveli më i ultë, mishërojnë korrupsionin e thellë të të gjithë shoqërisë. Banditët për të mbijetuar duhet ta kenë mirë me ministrin, me deputetin e zonës, me drejtorin e policisë. Ata që shpërndajnë drogë, duhet të çojnë pjesën mujore tek shefi i antidrogës, që të mos të kapen, dhe në rrjetë bien vetëm ata që nuk paguajnë. Ata që shkaktojnë probleme me shpejtësinë në qytet, duhet të paguajnë tek drejtuesi i qarkullimit rrugor, që të mos kenë shqetësime me policinë rrugore, pavarësisht mënyrës se si ecin. Ata që merren me krime të ndryshme, duhet të paguajnë tek shefi i krimeve, që të mos jenë target i policisë kriminale. Ata që duan të merren me aktivitet të paligjshëm, duhet të paguajnë tek shefi i krimit ekonomik, në të kundërt mund të bien në rrjetën e policisë. Është ndërtuar një sistem që funksionon vetëm mbi të dobëtit, të pambrojturit dhe mbi ata që nuk “kojnë” shefat dhe drejtuesit e policisë. E thënë ndryshe, i janë varur ujkut mëlçitë në qafë. A mund të ndryshohet ky sistem? Sigurisht që po! Por që të ndryshojë sistemi, duhet të ndryshojë mentaliteti ynë, duke i konsideruar hajdutët dhe të korruptuarit e tillë, pavarësisht se në anën e kujt janë. Duke i denoncuar dhe duke u ndarë prej tyre, pavarësisht se mund të jenë në anën “tonë”. Të mos reagojmë vetëm ndaj hajdutëve të sotëm, por edhe ndaj atyre të djeshëm. Të mos bëhemi mbrurojë e hajdutëve dhe e të korruptuarve, pavarësisht se mund të jenë të forcës sonë politike. Të mos gjykojmë me “syzet” e partisë, por me dritëne së vërtetës dhe drejtësisë. Vetëm kështu mund të shërohet ky vend. Përndryshe, do vijojmë të lëngojmë gjatë dhe kurrën e kurrës nuk kemi për të gjetur derman.

Shkruaj nje koment