Tenderi 15 milionë euro për laboratorët SMART në shkollat 9 vjeçare është veshur me dyshime të forta korrupsioni. Agjencia Kombëtare e Informacionit ka ndryshuar dy herë kriteret e detyrueshme për kualifikim, pikërisht në datën kur ishte parashikuar të hapeshin ofertat e tenderit duke shtuar certifikatën e sigurisë
Ky është një rast i paprecedentë, kur një autoritet kontraktor ndryshon kriteret e procedurës prokuruese pikërisht në ditën e tenderit, kur ishin parashikuar të hapeshin ofertat. Dyshimet janë se përmes këtyre ndryshimeve, AKSHI kërkon të kufizojë konkurrencën dhe të përjashtojë nga gara kompani për ta çuar tenderin aty ku është paracaktuar.
Tenderi
Data e hapjes së ofertave të tenderit ishte parashikuar 24 gushti. Por pikërisht në këtë datë, AKSHI ka depozituar në Agjencinë e Prokurimeve dy shtoja për ndryshimin e kritereve.
Në shtojcën e parë, AKSHI ka vendosur që punonjësit e kompanive pjesmarrëse në garë duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie CSP, e cila lëshohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
Por pak më vonë ka shtuar një tjetër shtojë, duke e ndryshuar sërish kriterin e certifikatës së sigurisë dhe tashmë duke e kërkuar atë jo për të gjithë punonjësit e kompanisë, por vetëm për ata që do të aksesojnë datacenterin qeveritar.
Rrjedhimisht data e re e zhvillimit të tenderit është shtyrë për na 6 shtator. Por në këtë rast shtyrja nuk ka asnjë rëndësi se procedura për të pajisur një punonjës me certifikatë sigurie zgjat disa muaj. Ndaj futja e këtij kriteri ditën e tenderit e bën të pamundur pjesmarrjen për ato kompani, të cilat nuk i kanë punonjësit të pajisur me certifikatë. Ndërsa kompanitë e huaja me këtë kriter praktikisht përjashtohen të gjitha nga gara.