Topi arrestohet me 2 kg heroinë në Kakavije

Një sasi prej 2 kg heroine, është kapur në Kakavije, nga policët e kësaj nyje kufitare. Poseduesi i saj është prangosur menjëherë. Ai është Stavri Topi 57 vjec nga Fieri. Burimet policore, rastin në fjalë e kanë klasifikuar si sukses në luftën ndaj trafikimit të lëndëve narkotike drejt shtetit fqinj. Trafikimi i heroines, është shënuar mesditën e sotme në Kakavije, në vijën e dytë kufitare nga ana e punonjësve të Policisë Kufitare. 57 vjecari, ishte duke udhëtuar me automjetin tip Mercedez-Benz me targa AA770LS në drejtim të Greqisë. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, automjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit të ushtruar tek parafangot e gomave të para të automjetit, u gjet sasia e heroinës e ndarë në katër pako. Pesha totale e lëndës narkotike, shkonte në 2 kg. Pakot u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që u arrestua në flagrancë, poseduesi i heroinës në këtë rast fieraku Topi. Materialet proçeduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe ndaj fierakut rëndon vepra penalee trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vlera e mallit të trafikuar në Greqi, i kalon të 15 mijë eurot. Kjo është hera e 22 këtë vit që në Kakavije, kapen mallra narkotikë, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment