Në 48 orët e fundit, Kakavija ka qenë zona më e frekuentuar e trafikantëve të marijuanës. Trafikanti i marijuanës sot ka qenë Dashnor Hamza 43 vjecar banor i Tepelenës. Ai është kapur me 28 kg marijuanë e destinuar për në tregun grek. Burimet policore, kanë konfirmuar se punonjësit e Policisë Kufitare të Kakavijes, e zbuluan sasinë e marijuanës gjatë kontrollin në vijën e dytë kufitare. Hamza pasi ka kryer veprimet në pasaportë dhe kontrollit fillestar fizik, i është nënshtruar një kontrolli tjetër në karantinën e automjteve në vijën e dytë kufitare në dalje të Republikës së Shqipërisë. 43vjecari nga fshati Xhafaj në zonën e Luftinjës e cila njihet si një ndër të kultivuara me kanabis, po shkonte drejt Greqisë me automjetin e tij tip “Lancia Phedra” me targa AA458MA. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm nga ku dhe u zbulua sasia narkotike në pjesën e shasisë në një vend të sajuar enkas. Në të, kishte disa pako të mbushura me kanabis. Menjëherë mjeti është bllokuar e më pas është arrestuar edhe poseduesi i kësaj lënde narkotike. Grupi hetimor konstatoi se në vendin e fshehtë të automjetit, u gjetën 28 pako me kanabis me peshë totale 28 kg. E gjitha kjo sasi, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Krahas kësaj u sekuestrua mjeti së bashku me lëndën narkotike, ndërkohë që trafikanti Hamza, është dërguar në Tiranë tek Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Dy ditë më parë, Mario Aliaj nga Fieri, u kap me 3 kg kanabis në automjetin e tij, në tentativë për të hyrë në territorin grek nga Pika Kufitare e Kakavijes. Ndryshe nga Aliaj, Hamza ka pranuar se kërkonte të trafikonte drejt Greqisë, sasinë e hashashit të fshehur në pjesën e poshtme të shasisë së mjetit.