
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci shprehet i bindur se DEA ka zgjedhur të vijë në Shqipëri pasi sipas tij trafiku i kokainës është kthyer në fenomen shqetësues.
I ftuar në Euronews, Beci tha ky investim i bërë prej DEA-s në Shqipëri tregon se trafiku i kokainës në vend është bërë më problematiku në të gjithë rajonin.
‘Dea ndërhyn zakonisht në vende ku tregu i kokainës bëhet problematik. Në këtë formë bashkëpunimi ka qenë i ngushtë me organet ligjzbatuese edhe para shumë viteve, por me anë të një filiali që DEA e kishte në Athinë.
Fakti që vitet e fundit kokaina është bërë trafiku më i rëndësishëm sa i takon paligjshmërisë në këtë luftë kundër narkotikëve duket se i ka dhënë DEA-s të drejtën të ketë një investim shumë të rëndësishëm në republikën e Shqipërisë.
E përkthyer më shqip, trafiku i lëndëve narkotike dhe i kokainës, është bërë më problematiku në tërë rajonin dhe për këtë arsye, DEA ka kthyer vëmendjen totale në Republikën e Shqipërisë.
Fakti që DEA vjen në Shqipëri është sirenë alarmi që trafiku i kokainës është bërë i rrezikshëm”,- tha Beci.