Transportonin me Range Rover emigrantë, kapet një person në Himarë, një tjetër në kërkim

0
65

Transportonin me Range Rover emigrantë, kapet një person në Himarë, një tjetër në kërkim

Një person është vënë në prangat e policisë së Vlorës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar për transportimin e emigrantëve kundrejt fitimit me dy makina Range Rover.

Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Speciale “Delta” dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 6”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi N. K., 27 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. B., 32 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë operacionit, në fshatin Lukovë, Himarë, shërbimet e policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se me dy automjete “Range Rover” po transportoheshin emigrantë, janë vënë në ndjekje të tyre.

Sapo kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia, drejtuesit e automjeteve, shtetasit N. K., dhe A. B., janë larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të policisë, për të ndaluar.   

Shtetasi N. K., ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë ligjore, duke zbritur nga automjeti emigrantët që po transportonte, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e policisë.

Shtetasi A. B., ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte pjesën tjetër të emigrantëve dhe duke përfituar nga terreni i vështirë është larguar me shpejtësi në këmbë.

Aktualisht vijon puna për kapjen e tij, ndërkohë që dy automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.    

Shkruaj nje koment