Shqipëria, padyshim, ka qenë këtë vit më shumë se asnjëherë tjetër në qendër të vëmendjes së mediave të huaja që e promovojnë atë si një destinacion turistik.
Po të shumtë kanë qenë bloger dhe influencer që kanë vizituar disa nga pikat më të lakuara të vendit, duke ofruar për sytë e qindra miliona njerëzve që i ndjekin anekënd globit, copëza nga eksperienca e tyre.
Ky masivitet marketimi i Shqipërisë ka anën e vet të mirë, duke i dhënë një tjetër nivel vëmendjeje ofertës turistike të vendit, ashtu siç ka edhe anën negative.
Të huajt që po na vizitojnë, në rritje të dukshme këtë vit, ku vetëm në qershor ishin 1 milion shtetas që hynë në territorin shqiptar, i besojnë shumë institucionit të “përshtypjeve”.
Interneti është i pamëshirshëm dhe lumi i komenteve negative mbi përvojat në Shqipëri nuk ka fund, ashtu sikurse ka edhe komente të shumta pozitive për atë se çfarë ofron ky destinacion turistik.
Por cilat janë ankesat më të zakonshme të turistëve, destinacionet më zhgënjyese sipas tyre dhe ato më të bukura në vendin tonë? Këtë herë, “Monitor” iu referua platformave në internet të lidhura me “përshtypjet” për të sjellë Shqipërinë nga optika e të huajve që na kanë vizituar dhe kritikuar.https://352559e053d77fabb82af79ec4d14014.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html
Ksamili masakrohet për shezlongët, çmimet, mbetjet
Është e vështirë të gjesh sot një artikull për Shqipërinë dhe plazhet më të bukura të saj dhe të mungojë Ksamili. I cilësuar si “Maldivet shqiptare”, pritshmëria e turistëve që e vizitojnë është e lartë, por duket se një pjesë e mirë që e kanë vizituar atë në pikun e sezonit kanë ndryshuar mendim, duke përmbysur totalisht atë që prisnin.
Teksa në media dhe blogje, ky plazh është më i lakuari dhe imazhi ndërkombëtar i vendit, në përshtypjet e turistëve është ndoshta i vlerësuari më brutalisht. Në TripAdvisor, përdoruesi nën emrin “muratdJ1435FF” e ka cilësuar këtë si përvojën më të keqe të tij.
“Përveç detit të mahnitshëm, çdo gjë tjetër është shumë keq. Mos shpenzoni kohën tuaj të vini këtu. Ata gati sa nuk ju bëjnë të paguani dhe ajrin. Tregtarët janë inatçorë” – shprehet ai në një koment që e shoqëron me një faturë. Aty ai nënvizon se një pjatë patate të skuqura i ka kushtuar 4.5 euro dhe ketchup-i më vete, 2 euro.
Përdoruesi tjetër “Dreamer11667707888”, në një koment të 23 korrikut, e përmbledh komentin e tij nën titullin, “E shtrenjtë, e ndotur dhe plot me mashtrues”.
“Mos u besoni videove në internet. Edhe pse apartamentet janë ‘të lira’, ju do të humbni një shumë të çmendur parash në ‘restorante’ (skara me ushqim të shpejtë me cilësi të ulët në fakt).
Pothuajse të gjithë këtu do të përpiqen t’ju mashtrojnë, veçanërisht tregtarët dhe shoferët e taksive (këta të fundit vijnë te njerëzit në stacionin e autobusit, duke u thënë turistëve se autobusi është anuluar në mënyrë që ata të mund të paguajnë 30+ € për udhëtim 15-20 minutash).
Plazhet janë të mbipopulluara dhe nëse nuk paguani 25 € për shezlong, do t’ju vizitojnë rojet e sigurisë, megjithëse asnjë plazh nuk është privat. Kontrolloni fotot që kam shtuar dhe krahasojini me ato që janë paraqitur në internet”.
“NataliaV” e ka cilësuar Ksamilin si një vend të mbivlerësuar. “Shumë i shtrenjtë dhe shumë i populluar. Shezlongë 30 euro dhe në rresht të fundit. Mendoja se ishte një vend më i mirë.
Nuk është aspak familjar. Shumica e plazheve janë privatë, të ngushtë dhe pa pamje” – nënvizon ajo në një koment të 23 korrikut 2023.