Turp i shtetit pa mjete shpëtimi

0
146

Nga Entela Konomi

Turp sot. Shteti gjendet i zbuluar, pa mjete shpëtimi. Turp, del dhe flet për zjarrfikësa heronj, për ata që sakrifikojnë veten. Jo, zoti Kryeministër, nuk duhet fare ti zini me goje ata zjarrfikës, as ti që je tani dhe as gjithë të tjerët para teje. Nuk keni menduar asnjëherë për fatkeqësitë natyrore. Madje një ish-ministër i Brendshëm kur mori detyrën u habit shumë për ekzistencën e Drejtorisë së zjarrfikësve në diskater. Kjo çuditje vjen sepse të gjithë ju nuk besonit në tekat e natyrës, sepse të gjithë ju e kalonit me një tundje dore «hajt mo, se s’na gjen gjë». Asnjëherë nuk e kuptuat se shërbimet direkt që popullata merr janë tre, shëndetësia, policia, zjarrfikset dhe pikerisht të treja këto ju i keni goditur. Por sot nuk dua të ndalem tek të tjerat, dua të flas për atë sektor ku e katandisët kokoshin një thelë. E keqja jonë vjen nga ju, së pari, pastaj derivon poshtë.
Sa herë, hartohej buxheti i shtetit, i pari pergjysmohej ai i zjarrfikësve. Sa herë, vinte koha e zgjedhjeve, zjarrfikësit ishin të parët që shkurtoheshin, sepse sipas mentalitetit tuaj ata nuk duheshin. Asnjëherë nuk e kuptuat se çdo të thotë të ndërhysh dhe të kryesh misionin e kërkim-shpëtimit, asnjëherë nuk pyetët «a kanë mjete dhe veshje speciale këta zjarrfikës». Sapo ndodhte një zjarr apo shpërthim të parët që rrezikonin ishin ata. Ju të gjithë vinit në vendin e ngjarjes dhe vetëm vrojtonit si spektatorë. Madje kishte nga ata pushtetarë që jepnin mend si duhet të ndërhynte zjarrfikësi.
Drejtoria zjarrfikëse, që sot e keni bërë sektor, ka patur një Qendër Trajnimi për të gjithë personelin zjarrfikës. Një godinë dykatëshe me vendodhje në Kombinat. Ku është ajo sot ? E morët ju sepse iu duk e panevojshme për zjarrfikësit. Nuk menduat për ata njerëz që do t’ju duhet të ngjiten në katet e larta të ndërtesave e që duhet të trajnohen. Por ju nuk pyetët, sepse nuk e kuptoni çdo të thotë fatkeqësi, ju nuk e dini çfarë rreziku sjell zjarri, uji apo tërmeti.
Dhe sot kur vijmë në një situatë të tillë si kjo e tërmetit të Durrësit, zjarrfikësit tanë i gjen me trup e shpirt në mes të rrënojave, por pa mjete. Të «turpëruar» para trupave të vendeve fqinje. Jo për faj të tyre, sepse shumicën e tyre i njoh dhe ua di përkushtimin, por sepse ndihmën duhet ta japin me duar, pa asnjë mjet, sepse ju nuk u kujtuat për ta. Nuk menduat asnjëherë për fatkeqësitë e mundshme.
Sot është turp të dëgjosh ty zoti Kryeministër kur vlerëson si hero një zjarrfikës sepse refuzon të verë aparatin mbrojtës. Ti i pari s’duhet ta lejosh. Ata kanë bërë një betim, por ti zoti Kryeministër nuk i ke pyetur kush është betimi. Po ta them unë. Përpara se të shpëtojnë dhe të mbrojnë jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, ata duhet të mbrojnë veten. Por me çfarë? Me duart që u ka bërë nëna? Me çfarë të futen në zjarr? Në një tender për veshjet speciale të tyre kundra zjarrit do të ndërhyej 100 herë me telefonata e me presione buxheti. Nuk u ngrit asnjëherë një ekip i specializuar të pyeste për ta. Kurrë, nuk u kujtuat, por sot shyqyr kemi komshinjtë e specializuar e na vijnë në ndihmë. Për të kritikuar e për të bërë të diturin nëpër studio TV, të gjithë ju e bëni shumë mirë. Ju, gjithmonë kërkonit rezultatin dhe nuk pyetët asnjëherë çfarë rruge u ndoq për ta arritur. Për show TV i vishnit zjarrfikësit dhe i nxirrnit ti shikonte mileti, por realiteti nuk është ashtu.
Jemi ndoshta një nga vendet me të keqmenaxhuara për fatkeqësitë natyrore në rajon, sepse ky është mentaliteti juaj «hë se s’na gjen gjë». Madje, na qesëndisnit kur përmendim fatkeqësitë natyrore. Pas çdo ngjarje ne të gjithë shpresonin, sepse tani, ju e patë rrezikun me sytë tuaj, shpresonim se do na plotësonit premtimet e terrenit përballë ngjarjes, por sapo kalonte rasti ju ishit «kalova lumin, të dhjefsha kalin». Mijëra pengesa afatesh ligjore dhe bla bla bla të tjera nxirrnit për buxhetin, veshmbathjet, mjetet mbrojtëse, parandalimin deri sa na vinte shpirti në majë të hundës dhe heshtnim sepse nuk ia dilnim dot.
Sa herë trokitej në dyert tuaja përgjigja ishte standarte «kemi halle më të rëndesishme se zjarrfikëset » dhe kështu mbylleshin dosjet e kërkesat për ju. Ata zjarrfikës kanë parë e prekur kufoma, bebe, të rinj e të moshuar, raste pa fund nga më të dhimshmet kanë përjetuar, por asnjëherë nuk u pyeten a duhet të kishin një trajtim special. Edhe për shpërblimin e tyre diskutohej me mijëra herë, thua se do boshatisnin arkën e rezervave të shtetit. Çfarë po shkruaj nuk janë thashetheme dhe as hamëndësime por janë të vërteta që i kam përjetuar në 10 vjet punë me ta. Çdo punonjës i thjeshtë i atyre zyrave e di hallin e zjarrfikësave, por ska fuqi të ndryshojë gjë, sepse ndryshimi duhet të vijë nga kokat tuaja, nga mentaliteti juaj, nga moto juaj «rro sot për sot, se nesër si dihet çfarë sjell zoti».
Sot i shoh në TV, Benin e Tiranës dhe Luanin e Vlorës, i nderoj dhe i respektoj në maksimum dhe jo vetëm ata të dy, por të gjithë zjarrfikësit. Ndërsa për ju që keni drejtuar dhe drejtoni shtetin kam vetëm një fjalë: «shame on you»!
Autorja ka punuar në Drejtorinë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri pranë Ministrisë së Brendshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here