
Nga Mentor Kikia
TVSH-ja në arsimin privat do të dëmtojë cilësinë e arsimimit
Qeveria do të vendosë një taksë 20% mbi arsimin privat. Ermal Hasimja thotë se janë së paku 50,000 familje që shkollojnë fëmijët në këtë sistem, në të gjitha nivelet. Dhe padyshim që kjo taksë do të shkarkohet tek këto familje.
Sipas logjikës së qeverisë, këta që dërgojnë fëmijët në sistemin arsimor privat janë të pasur dhe kanë para të paguajnë.
Por ne e dimë shumë mirë se qeveria ka kontribuar maksimalisht, që shtresa e të pasurve të jetë sa më e vogël në numër, dhe padyshim sa më e pasur. Pra, ata që lënë një vakt bukë pa ngrënë, apo marrin edhe kredi për të dërguar fëmijën në një shkollë me standarde më të mira, nuk janë pjesë e oligarkisë, hajdutërisë dhe botës së krimit, por është e ashtuquajtura shtresë e mesme, të cilës ia morën frymën dhe e shpartalluan pa u formuar mirë akoma.
Por unë mendoj se qeveria, duhet të bëjë diçka, paralelisht.
Si iu tha studentëve të mjeksisë: Meqë ju po studioni me paratë e taksapaguave(edhe pse edhe ata janë taksapagues), duhet të na ktheni paratë, ose të punoni 5 vjet ku ju themi ne, e pastaj ikni ku të doni.
Këta që dërgojnë fëmijët në shkollat private janë taksapagues, dhe këta duhet të marrin shërbim arsimor për fëmijët në shkollat publike. Por meqë ata po e lehtësojnë arsimin publik, pra nuk po e marrin këtë shërbim, si; mësues, shkollë, energji, shkumësa, kondicioner, palestër…etj, atëherë qeveria u detyrohet që tu jape në cash paratë që nuk po u jep në formë shërbimi.
Këto nisma do të frenojnë prindërit ti dërgojnë fëmijët në shkolla private. Kuptohet, jo ata të pasurit që paratë i kanë nga korrupsioni dhe krimi, të cilëve u referohet qeveria, por pjesën masive të atyre që sakrifikojnë për një arsimim me cilësor të fëmijëve. Dhe për pasojë fëmijët do të dynden më shumë në shkollat publike, me nga 45 nxënës në klasë e ku mësuesit si del koha të bëjë apelin e jo më mësim.
Kjo shtresë e shoqërisë duhet falenderuar, sepse nuk shkon në Dubai për pushime, por lë mënjanë paratë për shkollën e fëmijës dhe lehtëson shkollën publike.
Ka zëra që thonë se disa të ashtuquajtur universitete private janë bërë thjeshtë ndërmarje diplomash, që duhen taksuar.
Por unë mendoj se problemi nuk është vetëm të shkollat e larta, pasi arsimi privat është investuar që në kopshte dhe të gjitha nivelet parauniversitare, ku kontribon shumë. Ndërsa ata biçim universitetesh, i nxjerr në anë rrjedha e ujit, pra është tregu që përcakton më të mirin. Psh, ka fakultete dhe programe në Universitetin e Tiranës, që janë historikisht të pakonkurueshëm nga çdo institucion privat për shkak të integritetit dhe cilësisë dhe ku kërkesa(aplikimet), është gjithmonë më e madhe sesa oferta(numri I vendeve).
Ndërsa pasojat mendoj se do të jenë në arsimin parauniversitar.