U gjetën të copëtuar në valixhe, detaje të reja nga zhdukja e çiftit shqiptar në Itali: Telefonata e fundit e 52-vjeçares me motrën dhe të bijën

Detaje të reja zbardhen nga vrasja makabre e çiftit shqiptar, Shpëtim dhe Teuta Pasho, të cilët u gjetën një natë më parë në Itali, të copëtuar e të futur në tre valixhe.
Mësohet se, kontakti i fundit që pati çifti shqiptar, ka qenë me telefonata e Teuta Pashos me të motrën në muajin nëntor të 2015-ës. Sipas verifikimit të tabulateve telefonike, Teuta ka marrë të motrën më datë 1, dhe më datë 2, kur e motra e ka marrë sërish, dyshja nuk janë përgjigjur më.
Autoritetet italiane raportojnë çiftit të gjetur brenda valixheve u mungojnë disa gjymtyrë. Sipas mediave fqinje, policia është vendosur në kërkim të një valixheje të katërt, pasi mungojnë disa pjesë të trupave.
Nga të dhënat e raportuara deri më tani mësohet se, së pari është gjetur një valixhe me bustin dhe një këmbë të burrit, pastaj një tjetër me gjymtyrët e poshtme të gruas dhe në fund valixhja e tretë me bustin e saj.
Ndërkohë, policia italiane thekson se mungojnë gjymtyrët e poshtme të burrit dhe për këtë arsye ka nisur sot kontrollet me qen të specializuar në të gjithë zonën e Firenzes, në kërkim të një valixhe të katërt.
Po ashtu, nga autopsia bërë trupit të gruas thuhet se Teuta Pasho është rrahur barbarisht, pasi kishte shumë hematoma në fytyrë dhe shumë kocka të thyera.
Kujtojmë se, fotot e dyshes nga Vlora kanë bërë xhiron e të gjitha mediave italiane që nga viti 2015. Prej pesë vitesh, Shpëtim dhe Teuta Pasho, kërkohej në Itali nga emisioni “Chi l’ha visto”.
Mediat italiane shkruajnë se një prej pistave ku po hetohet është një sherr që ka pasur çifti shqiptar me të dashurën e djalit, debat për të cilin nuk dihen ende detaje konkrete. Ndërkaq, një tjetër detaj që bën përshtypje është edhe vendi ku u gjet dyshja. Pjesët e trupit të Shpëtim dhe Teuta Pashos u gjetën pranë burgun Solliçiano ku djali i tyre vuante dënimin për trafik droge në kohën që çifti shqiptar u zhduk. Kjo krijon dyshime se vrasja e çiftit mund të ketë lidhje me të kaluarën kriminale të djalit të tyre.
Historia e zhdukjes së çiftit shqiptar
Çifti shqiptarëve, Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52 vjeç, nga Vlora u zhdukën pa lënë gjurmë në Castelfiorentino më 2 nëntor 2015. Ata kishin shkuar për vizita mjekësore në shtetin fqinj, drejtë të cilit kishin shpesh vajtje-ardhje, pasi në Toskanë jetonin fëmijët e tyre.
Pas zhdukjes së çiftit, i vetmi informacion lidhur me ngjarjen e rëndë, është telefonata që mori vajza e tyre nga një numër anonim në të cilën nëna e saj i tha se nuk donte të kërkohej nga askush.
Ishte pikërisht vajza e tyre, Dorina ajo që dha alarmin për zhdukjen e prindërve të saj dhe publikoi në rrjetet sociale fotot e tyre, ndërsa kërkonte ndihmë për gjetjen e tyre. Ndërkohë që prindërit e tij ishin zhdukur, djali i tyre u arrestua në Itali për trafik droge.
Trupat mësohet se u gjetën të mbështjellë me celofan, të lidhura me shirit ngjitës, brenda disa valixheve, në një distancë prej dhjetëra metrash nga njëra-tjetra përgjatë autostradës. Kjo i bën hetuesit të supozojnë se ato ishin hedhur nga një makinë në ecje në Firence- Pisa-Livorno, drejt Firences.
Ajo që solli identifikimin e çifti ishte se në njërin prej trupave u vu re një tatuazh në formë spirance, poshtë të cilës ishte gdhendur edhe emri i një qyteti shqiptar poshtë. Por analizat dhe ekzaminimet e mëtejshme, do të zbardhin më tepër detaje.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment