Gati 2/3-at e të gjithë fëmijëve ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre në gjashtë javë që nga nisja e agresionit rus, tha të hënën agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF.
OKB-ja ka verifikuar gjithashtu vdekjen e 142 fëmijëve, megjithëse paralajmëron se numri aktual është me siguri shumë më i lartë.
Manuel Fontaine, drejtor i programeve emergjente të UNICEF-it, i cili pak ditë më parë ishte në Ukrainë, tha se janë shpërngulur 4.8 milionë nga 7.5 milionë fëmijët e Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër dhe se kjo është diçka që ai nuk e ka parë të ndodhte kaq shpejt në 31 vjet punë humanitare, raporton BBC.
Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm.
Kështu i tha Fontaine Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai paralajmëroi se situata ishte ndoshta më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku nuk kishte shërbime të ujit dhe kanalizimeve dhe furnizimi me ushqime dhe ilaçe ishte ndërprerë.