Vdekja e adoleshentit në Sharrë, Prokuroria nis hetimet ndaj Erion Veliajt.

0
283

Prokuroria e Tiranës, regjistroi kallëzimin penal të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj në lidhje me menaxhimin e landfillit të Sharrës.

Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë task-forcë pranë organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, pas kallëzimit të selisë blu, prokuroria ka regjistruar kallëzimin për akuzën e “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.

Burimet thonë se krahas hetimit penal për vdekjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, po hetohet edhe mënyra e funksionimit dhe menaxhimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane.

Sipas prokurorisë, po verifikohet e gjithë procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës, në lidhje me marrëveshjen bashkëpunimit me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Veronës. Krijimi mes tyre të një shoqërie të përbashkët me emër “Eco Tirana” sh.a. ku 51 % të aksioneve i disponon Bashkia e Tiranës dhe 49 % të aksioneve tjera një shoqëri publike italiane e bashkisë së Veronës për menaxhimin e landfillit të Sharrës.

Në kallëzim e PD-së, thuhet se zyrtarë të lartë të Bashkisë së kryeqytetit që në nënshkrimin e marrëveshjes me bashkinë e Veronës ka shkelje ligjore. Më pas edhe krijimi i kësaj shoqërie me emrin Eco Tirana që është bërë pas asnjë procedurë konkurrimi apo kritereve të parashikuara në ligj është një shkelje tjetër e ligjit për shoqëritë tregtare.

Veç krijimit të shoqërisë, e cila për 25 vitet e ardhshme menaxhon mbetjet e riciklueshme në landfillin e sharrës, nuk është caktuar administrator apo bord drejtues të kësaj shoqërie.

Hetuesit thonë se krahas hetimit të kësaj marrëveshje dhe krijimin e shoqërisë Eco Tirana, prokuroria po heton edhe mënyrën se si kjo shoqëri publike i ka dhënë në shfrytëzim pa tender kompanisë 3R selektimin e mbetjeve të riciklueshme brenda landfillit të Sharrës.

Kompani 3R, drejtuesi i të cilës është shpallur në kërkim pasi në landfill u gjet i vdekur 17 vjeçari Ardit Gjoklaj, i cili ishte punësuar jashtë çdo kriteri ligjore në landfill për selektimin e mbetjeve.

Sipas akuzës, edhe për llogari të hetimit të nisur nga kallëzimi i PD-së, është kërkuar nga Bashkia e Tiranës t’i vërë në dispozicion të gjitha materialet e kësaj dosje dhe kontratat mes kompanive për shfrytëzimin e mbetjeve të riciklueshme në landfillin e Sharrës.

Por pavarësisht kërkesës së përsëritur, Bashkia e Tiranës vazhdon të hesht duke mos ia vënë në dispozicion prokurorisë materialet e çështjes. /AbcNews

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here