Vendet e rajonit po përgatiten të kapin tregun shqiptar

0
137

Prodhuesit shqiptarë nuk duken aspak optimistë. Viti 2019 u shoqërua me probleme të shumta për sektorin prodhues, të cilat pritet të vijojnë edhe përgjatë këtij viti. Ndër problematikat kryesore ata listojnë: problemet me kursin e këmbimit; konkurrueshmërinë nga importet dhe rreziku gjithnjë e në rritje i pushtimit të tregut vendas nga kompanitë rajonale; mungesa e fuqisë punëtore; kushtet e pafavorshme fiskale; si dhe mungesën e kreditimit.

Nga informacionet rezulton se vende të caktuara të rajonit, pasi kanë studiuar tregun tonë, kanë mbështetur në një formë të strukturuar disa nga produktet e tyre të forta me qëllim kapjen e tregut.

Viti 2019 u karakterizua nga problematika që i tërhoqi me vete përgjatë vitit 2018. Problematikat kanë qenë të lidhura me kursin e këmbimit valutor euro-lek, ku euro vazhdoi të nënçmohej dhe në 2020-n presim të njëjtën tendence. Kishte problematika që u trashëguan nga viti 2018, të cilat lidhen me kohën e rimbursimit të TVSh-së, pasi pati biznese prodhuese që nuk merrnin rimbursimin prej 8-9 muajsh. Ndërkohë që ky fenomen është krejtësisht i paligjshëm dhe i padrejtë për prodhuesit që eksportojnë mbi 70% të prodhimit të tyre, që sipas ligjit duhet të rimbursohen automatikisht dhe pa vonesë.

Gjithashtu, pati probleme në sektorin e bujqësisë, ku me ndryshimin e skemës së TVSH-së në sektor, u krijua ngërç midis fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve. Gjatë vitit nuk pati rritje të eksporteve, përkundrazi pati luhatje të eksporteve nga njëri tremujor në tjetrin. Një tjetër problematikë, që u shënua edhe gjatë vitit 2019, ishte ajo e lidhur me punësimin. Mungesa e kualifikimit të duhur profesional dhe rritja e emigracionit të punonjësve të kualifikuar ka sjellë një ngadalësim të produktivitetit duke ndikuar ndjeshëm në konkurrueshmërinë. Këtë vit pamë një përpjekje të qeverisë për të analizuar problemet e modelit të aftësimit profesional, pasi kjo reformë nuk dha rezultat.

Industritë prodhuese vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara për punonjës të kualifikuar dhe nëse politikat publike të orientuara drejt arsimit profesional nuk do të konsultohen dhe bashkërendohen me sipërmarrjen, do te kemi një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes dhe të konkurrueshmërisë.

Një nga problemet e paparashikuara në vitin 2019 ishte edhe situata e krijuar nga tërmeti i nëntorit, i cili rezultoi me dëmtime të rënda infrastrukturore dhe bllokim të aktivitetit ekonomik për shumë sipërmarrje.

Viti 2020 do të jetë kompleks dhe i vështirë për shumë arsye. Së pari për arsye të zhvillimeve të fundit gjeopolitike, pasi përveç marrëdhënieve të komplikuara tregtare midis aktorëve të mëdhenj botërorë, kemi edhe tensionim të theksuar në marrëdhëniet politike të vendeve me një peshë të rëndësishme ekonomike, të cilët mund të influencojnë mjaft ekonominë botërore dhe atë të vendit tonë. Së dyti do të jetë një vit i vështirë për shkak te problematikave të bashkëpunimin rajonal. Flitet për një formë të re të bashkëpunimit rajonal që e kanë quajtur Mini-Shengen. Megjithatë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimore e kanë gati të pamundur të vijojnë një iniciative të tillë, nisur nga fakti se në Bosnje-Hercegovinë sapo është krijuar qeveria e re pas një procesi të tej zgjatur negociatash prej 13 muajsh, Kosova është ende pa një qeveri dhe problemet politike mund të çojnë në zgjedhje të reja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të hyjnë në zgjedhje brenda 6 mujorit të parë.

Së treti, problemet kryesore, që do ta bëjnë të vështirë situatën gjatë vitit 2020 do të vijojnë të jenë të lidhura ngushtë me politikat e gabuara ose të munguara të qeverisë për sa i përket industrisë dhe prodhimit. Aktualisht nuk kemi një vëmendje të veçantë për prodhimin vendas ashtu siç e kanë vendet e rajonit.

Përveç sfidave të brendshme, industrisë prodhuese do të përballen me sfidën e konkurrencës rajonale, e cila nëse nuk adresohet seriozisht dhe shpejt, mund të rezultojë shkatërruese për disa nga industritë vendase. Nëse nxitojmë për t’u paraqitur si pionierë të bashkëpunimit rajonal duke lehtësuar krejtësisht barrierat tarifore dhe jo tarifore me vendet e tjera pa kryer më parë një analizë të avantazheve konkurruese të çdo sektori me secilin nga vendet e rajonit, do të vëmë në vështirësi të jashtëzakonshme industrinë tonë, e cila do të fillojë të ngadalësojë ritmin e rritjes, duke shkurtuar vende pune dhe duke kontribuar më pak në ekonomi. Industritë vendase dhe produktet vendore kanë filluar të përballen me trysninë e produkteve të rajonit, të cilat kanë filluar të zënë vend të tregun tonë.

Nga informacioni që kemi, vende të caktuara të rajonit, pasi kanë studiuar tregun tonë, kanë mbështetur në një formë të strukturuar disa nga produktet e tyre të forta me qëllim kapjen e tregut, ndërsa qeveria shqiptare me papërgjegjshmëri vijon të ngarkojë prodhuesin vendas me barrë të lartë taksash, tarifash, procedurash të cilat ndikojnë ndjeshëm në koston e prodhimit dhe në konkurrueshmërinë.

Po diskutohet së fundmi për vërshimin e qumështit nga Serbia, fenomen jo i panjohur për ne, pasi ka vite që jo vetëm qumështi por edhe produkte të tjera ushqimore kanë bërë një ekspansion drejt vendit tonë në mënyrë të qetë dhe të strukturuar. Këto produkte kanë zënë një pjesë të tregut vendas për arsye se janë të një cilësie të mirë dhe me një çmim më të lirë se sa produkti vendor.

Qeveria shqiptare duhet të fuqizojë dhe mbështes fort prodhimin vendas dhe të fokusohet tek kultivimi dhe përpunimi i fruta-perimeve, bimët aromatike dhe prodhimeve te detit. Një nga potencialet dhe burimet mjaft te rëndësishme dhe me vlerë është uji dhe duhet të investojmë shumë në këtë sektor. Padyshim që edhe sektorët e tjerë si industria e çimentos dhe tullave, apo përpunimi i lëkurës dhe tekstilit, industria e përpunimit të metaleve me ngjyrë dhe plastika, kanë mundësi të zhvillohen dhe të rrisin eksportet e tyre por gjithmonë duke marrë mbështetjen dhe lehtësitë të duhura.

Shkruaj nje koment