Vendimet e qeverisë/ Rama: Studentët e Mjekësisë duhet të shërbejnë 5 vite që t’u jepet diploma

0
100

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së sotme të qeverise, bëri publik vendimin për studentët e mjekësisë që regjistrohen në vitin e parë, të cilët do duhet të punojnë për 5 vite pas mbarimit të studimeve për të marrë diplomën.

“Çdo student i mjekësisë që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë duhet të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është zgjedhja e tyre nuk është vetëm një zgjedhje.

Ndërsa për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë. Për sa i përket marrjes së diplomës nuk ndryshon asgjë, sa i përket të drejtës dhe ushtrimit të profesionit se ajo fillon pas 5 viteve, duhet të bëhet këtu, prandaj paguan populli shqiptar taksa. Mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar, të ikin që ditën e parë”, theksoi Rama.

Por, tha Rama, nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet, që të largohen nëse duan të largohen, por për vitet e mbetura do të duhet të paguajnë një tarifë tjetër, e cila do të përcaktohet nga universiteti sipas ligjit, por që mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, teksa ka shpjeguar sesi do të funksionojë skema e punësimit të detyrueshëm për studentët e Universitetit të Mjekësisë, tha se maturantët fitues këtë vit do duhet të nënshkruajnë një marrëveshje që e kanë kusht punësimin me detyrim për 5 vite.

Kjo shifër ndryshon për studentët aktual. Ajo thotë se studentët e Mjekësisë nga viti i parë të katërt do duhet të punojnë në Shqipëri për 3 vjet ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë do duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr diplomën ndryshe do paguajnë koston reale të studimeve të tyre në Shqipëri. Kushi nënvizon se megjithatë është parashikuar se nëse për një vit studentëve nuk u gjendet punë në institucionet përkatëse në Shqipëri, ata mund të tërheqin diplomën.

Shkruaj nje koment