Vetë-shkatërrimi i dhimbshëm që Tomorr Alizoti i bën vetes dhe mbiemrit të tij!

0
130

Nga Sidi Hasanaj

Po ndiqja pak Alizotin te Top Story, është e habitshme dhe gjithnjë keqardhje të shohësh sesi e vetë-shkatërron, vetë-zhvlerëson personalitetin e tij.

Realisht më vjen shumë keq, sepse si do që të jetë individi Tomorr, nuk ndryshon faktin që mbiemri Alizoti përfaqëson një histori që e dua shumë.

Së pari, e përsërit aq shumë deri në hyper inflacion, faktin që ka jetuar në vuajtjet e komunizmit dhe gjithnjë këtë histori vuajtjesh gati të shenjtë, (në gjykimin tim), e përdor për oportunizëm dhe për të fituar pikë politikisht. Duhet të kesh shumë më tepër respekt Tomorr për vuajtjet e Alizotëve, dhe jo ti përdorësh me vend e pa vend, sa herë të duhet të fitosh merita duke u viktimizuar.

Ato akte sublime, (rezistenca ndaj komunistëve), nuk u bënë për të fituar as pushtet personal, as karizëm në debate, por më e tmerrshmja: as për të mbuluar me to, korrupsionin e komunistëve.

Për çfarë e kam fjalën?
Përmend gjithnjë shprehjen “djali i Kristaqit”, e reciton pa e kuptuar!

Edi Rama nuk ka asnjë faj që është djali i Kristaqit, ashtu si ti nuk ke asnjë meritë se je djali i një familje të mrekullueshme.
Po Rama ka faj që është hajdut, autokrat i lidhur me korrupsionin dhe krimin, ashtu siç ti Tomorr ke faji që siç përbuzë Kristaqin, nuk përbuzë gjithë komunistët, nuk përbuzë doktorin e Hysni Kapos por i shërben atij. Madje i shërben edhe duke përdorur vuajtjet e mbiemrit tënd në ndihmë të tij.

Ti Tomorr je rreshtuar pas sekretarëve të rinisë që kanë garuar me PPSH deri në 1992, (edhe përballë PD), si Baçi, me ata që shkatërruan Kisha e Xhami si Tritani, me bijë hetuesish, spiunësh dhe gjykatësish si dhjetëra emra që ke te Rithemelimi dhe dikur i përbuzje!

Kjo është të tallesh me vuajtjet e gjakut tënd, duke i përdorur si instrument “keqardhje” për ti dhënë dëshpërimisht sado pak mburojë një komunisti si Berisha.

Së dyti, bën kot si politolog i sofistikuar dhe përfundon në mediokritet.

The: “Shqipëria po rikthehet në autokracinë e para 90, që do të thotë se Kongreset janë gjithnjë e më shumë si pleniunet e dikurshme në shërbim e adhurim të unit, të kryetarit. Shihni kongresin e PS”

Por Tomorr çfarë thua?!
Ti ishe pjesë e një kongresi para pak ditësh, ku kryetari i atij grupimi, Berisha u adhurua deri në vetë mohim!
U rreshtuat si njerëz pa dinjitet, ta duartrokisni teksa ai mbronte pasuritë qindra miliona € të fëmijëve të tij të përfituara me vkm-ra dhe korrupsion të dhëna me leje ndërtimi nga “djali i Kristaqit”, madje arritët deri aty sa hartuat rezolutë kundër reformës në drejtësi dhe SPAK të komanduar nga “fuqia arrogante Amerikane”

Ule kokën Tomorr, kur doktori i Hysni Kapos dhe sekretari politik i QSUT, i dorëzoi udhëheqjen e Tribusë të quajtur “Rithemelim” vajzës së tij, duke shkelur mbi meritat tuaja!

Si merresh me pleniumet e PS, kur vetë je përulur te ritet bajraktare të tribusë Rithemelim?!

Tomorr, bëji një nder mbiemrit tënd dhe ki kurajon të largohesh nga politika. Më mirë një fund i dhimbshëm, sesa dhimbje, (për mbiemrin tënd), pafund!

Shkruaj nje koment