Banorët e pallatit tetë katësh në lagjen Kodra e Shtufit, kanë rifilluar protestat e tyre jo më përpara godinës ku banojnë, por në një lokacion më të dukshëm.
Protesta e tyre ka startuar në orën 18:30 të së premtes në hyrje të qytetit të Gjirokastrës tek Agjencia e Udhëtarëve dhe ka zgjatur gati 30 minuta. Synimi i tyre ishte bllokimi i aksit nacional veri-jug, por në pamundësi të sigurimit të lejes nga ana e policisë vendore, ata janë grupuar në një vend të dukshëm duke dhënë sinjale se me gjendjen aktuale që mbizotëron në pallat, nuk mund të pajtohen. Protesta i drejtohej qeverisë shqiptare e cila sipas tyre, ka qëndruar indiferente karshi kërkesave që janë të ligjshme. Kërkesat kanë karakter imponues ndaj qeverisë shqiptare ku kjo e fundit duhet të ndërhyjë energjikisht në normalizimin e situatës që mbizotëron në pallat.
Të 21 familjet që janë rikthyer në pallatin 8 katësh, kërkojnë ndërhyrje energjike pasi nuk ndihen të sigurtë në kushtet kur balta shtufore ende nuk është evaduar nga katet e para të këtij objekti banimi.
Vetë ata kanë paralajmëruar se forma e protestës do të marrë përmasa më të mëdha pasi gjatë të nesërmes (e shtunë), do të bllokojnë rrugën nacionale sepse sipas tyre, vetëm kështu qeveria shqiptare, do t’i rikthehet arsyes dhe kësisoj do të tregojë vullnet për të bërë të mundur zgjidhjen e situatës në fjalë.