“Video e prova përvëluese”, Meta nis nga e hëna publikimin e fakteve që përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë

0
155

Ashtu sikurse deklaroi edhe një ditë më parë Presidenti Ilir Meta të hënën do të kallëzojë penalisht kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani. Në një reagim në rrjetet sociale Presidenca paralajmëron padi edhe ndaj zyrtarëve të tjerë.

Zëdhënësi i kreut te shtetit thotë se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë njëvideome fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Reagimi i zëdhënësit të Presidentit Tedi Blushi:

Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here