Mot i keq me rreshje shiu po mbretëron sot në Gjirokastër dhe zonat përreth. Rreshjet e shiut kanë qenë mjaft intensive në orët e para të mëngjesit të sotëm duke u shndërruar në agresive sidomos përgjatë gjithë orëve të ditës.
Fatmirësisht nuk raportohen përmbytje në hapësirën brenda Bashkisë së Gjirokastrës përvecse disa raste sporadike në zonën e Urës së Lumit tek rrethrrotullimi ku niveli i rreshjeve të shiut është reflektuar tek përmbytja e zonës së rrethrrotullimit, si dhe tek kthesa për në Spitalin e Gjirokastrës.
Punonjësit e Emergjencave Civile, të Autoritetit Rajonal të Rrugëve, kanë qenë në terren për të konstatuar dëmet dhe në gatishmëri për cdo të papritur.
Sot prefekti i Qarkut të Gjirokastrës Astrit Aliaj, ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile për të koordinuar veprimtarinë menaxhuese në situatën aktuale, ku shirat do të kenë intensitet të madh nga ku rrezikohet edhe dalja nga shtrati e lumit Drino, si dhe probleme të tjera të karakterit infrastrukturor.