VIDEO/Kalldrëmi skandaloz, qëndrimi skeptik i specialistit gurskalitës

0
108

Cilësia e punimeve të kalldrëmit karakteristik në Gjirokastër është një temë e nxehtë për të gjithë banorët e qytetit të gurtë. Specialistë të gurit thonë se koha e përzgjedhur për të ndërhyrë tek kalldrëmi nuk është e volitshme pasi lagështira nuk e lejon të bëhet si duhet puna. Agush Kore një djalë i ri në moshë që profesionin e gurskalitësit e ka trashëguar nga I ati edhe pse shprehet se deri tani punimet nuk duken keq, këmbëngul se kjo nuk është koha e duhur për të ndërhyrë dhe ndërtuar një kalldrëm karakteristik.

Si nxënës i parë i babait të vet, tashmë me eksperiencë të gjatë në profesionin e gurgdhëndësit, Agush Kore mendon se në krye të këryre punimeve duhet të ishin gjirokastritë me përvojë në kësi punësh. Gjirokastra është  një nga katër qendrat urbane e mbështetur me financim nga Banka Botërore, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit.

Ky program investimesh ka për qëllim realizimin e ndërhyrjeve të integruara në rehabilitimin e infrastrukturës urbane. Fondi Shqiptar i Zhvillimit aktualisht është në proces zbatimi të rehabilitimit dhe restaurimit të rrugëve prej kalldrëmi të Qafës së Pazarit, që përfaqëson zemrën e qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës.

Punimet në këtë zonë konsistojnë në instalimin e një rrjeti të ri të infrastrukturës nëntokësore (rrjeti i jashtëm i furnizimit me ujë, ai i mbrojtjes nga zjarri, rrjeti i jashtëm i shkarkimit të ujërave të zeza e të bardha, ndriçimi elektrik dhe shërbimi telefonik). Gjithashtu është parashikuar restaurimi i 85% e kalldrëmit ekzistues të rrugicave dhe trotuareve, si dhe zëvendësimi i atij tejet të amortizuar. Ky projekt po zbatohet në vijimësi të projektit të restaurimit të objekteve që përbëjnë Qafën e Pazarit, i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit “AADF” dhe në mbështetje të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Shkruaj nje koment