KQZ prej ditësh po trajnon komisionerët e maxhorancës qeverisëse në kuadër të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit në kushtet kur opozita jo parlamentare nuk ka dërguar komisionerë pasi ajo e ka deklaruar bojkot të zgjedhjeve.
Kalendari i trajnimit i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të KZAZ-ve të Qarkut të Gjirokastrës dhe trajnimi po organizohet në selitë e KZAZ-ve përkatëse nga trajnues të cilët janë trajnuar nga KQZ. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e këtij procesi në funksion të mirëadministrimit të procesit zgjedhor, KQZ i bën thirrje çdo komisioneri të jetë pjesë e trajnimit dhe të respektojnë me korrektësi axhendën e tij.
Trajnimi i komisionerëve ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në administrimin e procesit, veçanërisht për 51 KZAZ-të që do të kryejnë procedurat e regjistrimit të kandidatëve për organet e qeverisjes vendore. Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kandidatët për kryetar bashkie dhe kandidatët për këshillat bashkiak, kanë detyrimin të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit ose të quajtur ndryshe, formularin e dekriminalizimit në KQZ. Vlen të theksohet se pavarësisht se në 51 KZAZ do të dorëzohen dokumentet e kandidimit, formulari i vetëdeklarimit do të dorëzohet në KQZ.
Kjo e fundit do t’i plotësojë vendet vakante me pjesëmarrës jashtë partive të cilët janë ofruar për pozicionin e komisionerëve.