VIDEO/”Nderi i Qarkut” ikonës gjirokastrite të muzikës fëminore, Haxhi Selfos

0
157

Një prej kompozitorëve më të famshëm në Gjirokastër dhe fitues i dhjetëra cmimeve kombëtare për muzikën fëminore, është nderuar me titullin “Nderi i Qarkut”. Haxhi Selfo, kompozitori i qindra këngëve për fëmijë në festivalet lokale dhe kombëtare, është nderuar përmes një ceremonie të vecantë një natë më parë.

Në fakt ka qenë një iniciativë personale e kryetarit të Këshillit të Qarkut Armand Hilaj, për të nderuar këtë personalitet të shquar të Gjirokastrës i cili prej pesë vitesh nuk jeton më, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm në prodhimtarinë e këngëve për fëmijë në jug të vendit. Ndonëse vlerësimi është i vonuar dhe jepet pas vdekjes, nuk i zbeh aspak kontributin mjeshtrit të këngëve për fëmijë, të cilat janë vlerësuar me cmime të para disa herë në 40 vitet e fundit në festivalet kombëtare të fëmijëve në Shkodër dhe dhjetëra herë fitues i cmimeve të dyta e të treta në kompeticionin më të rëndësishëm kombëtar fëminor.

Një ekspozitë me partiturat origjinale të Haxhi Selfos, janë shfaqur në hollin e Teatrit të Gjirokastrës të atyre këngëve që kanë rezultuar fituese në festivalet për fëmijë e tok me to, dhe momente ndër vite të ruajtura në celuloid cka përbëjnë edhe të vetmen pasuri që ka pasur kompozitori i madh ku ja ka lënë për trashëgimi të birit të tij Gentian Selfos sot një prej kantautorëve më të mirë në vend dhe kompozitor në gjurmët e Haxhiut të madh.

Bashkëshortja e Haxhi Selfos, Vijoleta Selfo, rrëfen momente pikante nga aktiviteti i bashkëshortit të saj dhe pasioni që ai ka pasur për fëmijët dhe muzikën e tyre.

Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, i ka dhënë cmimin më të rëndësishëm “Nderi i Qarkut”, për kontributet e tij në fushën e muzikës për fëmijë. Kreu i Këshillit të Qarkut Armand Hilaj, vlerësoi me këtë rast kontributin e Haxhi Selfos në fushën e muzikës për fëmijë që mbetet unikal në vend.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here