VIDEO/Plas në Këlcyrë, tifozët e skuadrës vendase protestojnë, gjyqtari i ndeshjes mori ryshfet!

0
159

Mbështetës dhe lojtarë të ekipit të Këlcyrës kanë protestuar mesditën e sotme në qendër të qytetit, duke kërkuar lirimin e tre futbollistëve, të cilët u arrestuan pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit të takimit Përmeti-Këlcyra ditën e djeshme.

Protestuesit kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Këlcyrë-Përmet. Si lojtarët ashtu edhe drejtuesit e klubit futbollistik Këlcyra, akuzojnë gjyqtarin Alvi Paço se ka marrë ryshfet për t’i dhuruar fitoren Përmetit.

Kam shkuar dy herë në federatë për një arbitër që ishte në rregull me ndeshjen, të ishte më i mirë, në mënyrë që të mos ziheshin dy qytetet me njëri-tjetrin. Tërhoqa ekipin për të mos e vijuar lojën. Dyshojmë se ka marrë ryshfet. Dhuna është e dënueshme por kjo është e vërteta. Nuk mund të na përjashtojë një arbitër i korruptuar nga kategoria-u shpreh për Report TV trajneri i ekipit të Këlcyrës Robert Spahiu. Ky i fundit një ditë më parë u shoqërua në Komisariatin e Policisë së Përmetit, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit fierak.

Edhe kapiteni i ekipit të Këlcyrës Alvaro Merko akuzon arbitrin se ndëshkoi qëllimisht ekipin e tij.

Arbitri i takimit, Paço, dha një penallti të paqenë dhe dy kartonë të kuq për ekipin tonë. Dhuna nuk është e justifikuar, por e bëri veten, fshatar arbitër. Më ka thënë personalisht ndeshjen do ta fitojë Përmeti. I kam thënë po deshe e bëj unë golin, por mos na ndëshkoni. Ai me një gur vrau dy zogj-është shprehur i irrituar kapiteni i skuadrës këlcyriote Merko.

Protestat e tifozëve të Këlcyrës, priten të bëhen intensive nëse gjykata e Përmetit vendos që të qëndrojnë në qeli, tre futbollistët e arrestuar një ditë më parë për dhunë të ushtruar ndaj gjyqtarit të takimit Alvi Paco.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here