Konstatohen dy vatra të reja dyshuese me sëmundjen e plasjes në Qarkun e Gjirokastrës.
Burimet zyrtare nga Sektori i Veterinarisë konfirmojnë se këto raste janë hasur në fshatrat Dhëmblan të Tepelenës dhe Jergucat në Dropull të Gjirokastrës. Kanë qenë barinjtë që kanë vënë në dijeni autoritetet veterinare pas anomalive të shfaqura tek të imtat që ndodhen në dy zonat e lartpërmendura. Momentalisht janë marrë kampione gjaku tek këto dy vatra te reja dhe janë cuar për analiza në ISUV në kryeqytet nga ku më pas në bazë të përgjigjeve, do të merren masa përkatëse.
Përgjegjësi i Sektorit të Veterinarisë në Gjirokastër Landi Dame, pranon se nëse do të rezultojnë pozitive analizat, atëherë kemi të bëjmë me dy vatra të reja ta plasjes në territorin e Qarkut të Gjirokastrës duke zgjeruar rrjedhimisht hartën e prekjes nga antraksi të të imtave.
Nje muaj më parë një vatër e re e infektimit të kullotave nga bacilli i plasjes, u konstatua në fshatin Bulo të Gjirokastrës ku 11 bagëti ngordhën. Bagëtia ishte prekur nga mungesa e trajtimit me vaksina ndërkohë që i’u nënshtruan masës së karantinës.
Të imtat në Gjirokastër preken shpesh nga sëmundja e plasjes si pasojë e infektimit nga bacilli i plasjes mikrob i cili qëndron aktiv 40 vjet nga momenti fillestar që nuk është eleminuar. Në kushtet e sotme me temperatura të larta, plasja gjen favorizim.