VIDEO/Rauf Fico në këndin e figurave të shquara të qytetit

0
146

Bazorelievi i Rauf Ficos prej ditës së sotme do të qëndrojë përkrah portreteve të pesonaliteteve më të njohura të Gjirokastrës, Eqerem Çabej, Musine Kokalari dhe Ismail Kadare.

Ceremonia për këtë rast është zhvilluar në zonën e Pazarit të Vjetër në Gjirokastër ku kanë marrë pjesë familjarë, drejtues të bashkisë së qytetit, pedagogë dhe studiues të kësaj figure të njohur.

Kush ishte Rauf Fico

I lindur në Sana të Jemenit më 13 mars të vitit 1881, Rauf Fico me prejardhje nga familja Fico e Gjirokastrës ka qenë një ndër intelektualët më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.

Me shpalljen e pavarësisë u gjend në krah të Ismail Qemalit, në Vlorë. Nismëtar i të parës strehë vorfnore të Tiranës, i të parit gjimnaz dhe i të parit spital të qytetit.

Zëvendësministër, ministër dhe njëherësh deputet i Parlamentit shqiptar në periudha të ndryshme, ai arriti që të rregullojë edhe marrëdhëniet shqiptare turke, pas shpalljes së vendit si Mbretëri. Një formë regjimi e kundërshtuar nga Ataturku, që njihej si “patriot i flaktë i republikës”, por që Fico ia doli mbanë që ta pajtonte me Ahmet Zogun.

Intelektuali I harruar nga komunistët

Por pavarësisht kontributit të shumëfishtë të tij, u harrua nga komunistët. U mohua më saktë, duke ia fshirë emrin gjithkund. Ai ndërroi jetë, pikërisht kur ky sistem do të instalonte pushtetin, në janar të vitit 1944, por edhe si fantazmë u kujdesën që Rauf Fico të humbte. Sepse ai i plotësonte të gjitha kushtet për ta urryer edhe si të vdekur: elegant, inteligjent, thellësisht perëndimor, patriot deri në vetëmohim, diplomat i shkëlqyer, i ndershëm, poliglot, i dashur dhe popullor për të gjithë, si për elitën, ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, por mbi të gjitha, antikomunist i vendosur…

Më 1926, ai bëhet i pari ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi. Fillimisht qeveria shqiptare kishte dërguar disa emra kandidatësh për ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Ankara. Por Raufi nuk figuronte ndërmjet tyre. Ndërkohë që Ismet Inony ia paraqet listën shefit të tij, ky i fundit, disi i habitur pyet: “Pse, Raufi nuk qenka në Shqipëri?”

Ky minidialog i bëhet I njohur, gjoja rastësisht, Tiranës. Kryeministri Ahmet Zogu e korrigjon menjëherë gabimin dhe Rauf Fico caktohet si kandidat i vetëm në legatën shqiptare të Ankarasë.

Më 1930 Rauf Fico emërohet Ministër i Punëve të Jashtme. Për këtë ngjarje, sipas citimit të studiuesit Kopi Kyçyku, gazeta Poster Loyd shkruante: “…. Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i Shqipërisë. Kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbullua grupi që organizoi Shqipërinë e sotme. Edhe në përmasa europiane Ministri Shqiptar është njeri me kulturë të spikatur, zotëron plotësisht gjashtë gjuhë të huaja, dhe është një nga diplomatët më të zotë të Ballkanit.”

I njëjti autor citon në shkrimin e tij “Rauf Fico – besniku i vetësundimit tonë”, gazetën gjermane Diplomaten Zeitung – Gazeta Diplomatike: “Rauf Fico është një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.

Megjithatë qëndrimi i Rauf Ficos në këtë post nuk vazhdoi gjatë. Pozicionimi i tij tejet antagonist ndaj presioneve të Italisë fashiste mbi qeverinë shqiptare, e detyroi të japë dorëheqjen, akt që u prit me dëshpërim nga shumica e patriotëve që e çmonin dhe e vlerësonin lart personalitetin e tij.

Emërohet ministër fuqiplotë në Athinë. Tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi. Si kudo ku përfaqësoi vendin e tij, edhe në Greqi, Rauf Fico, u prit dhe u përcoll me nderimet më të mëdha që mund t’i bëheshin një ambasadori të huaj për cilësitë dhe nivelin e tij të shquar profesional e njerëzor.

E shohim, së fundi, të transferohet në Gjermani, si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Berlin. Ditën që i paraqiti letrat kredenciale kancelarit të Rajhut, Adolf Hitlerit, në nëntor të vitit 1938, në të njëjtën datë dhe pak pas tij u paraqit edhe ambasadori i Japonisë. Ka mbetur tanimë si kuriozitet komenti i Hitlerit pas atyre dy audiencave: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një vendi të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një vendi të madh.”

Veprimtaria e tij në Berlin ishte aq e suksesshme saqë trembi edhe hierarkët fashistë të Romës se mos Fico mund t’i zhvendoste marrëdhëniet preferenciale të Tiranës me Romën drejt Berlinit, frikë që e demonstron qartë një telegram i nisur nga legata italiane në Tiranë drejtuar MPJ të Italisë në Romë në janar të vitit 1939.

Pushtimi i Shqipërisë e gjeti me detyrë në Berlin.

Rauf Fico ka qenë një nga të paktët përfaqësues të Mbretërisë Shqiptare jashtë që protestoi energjikisht për pushtimin e vendit nga Italia fashiste.

Ai vdiq më 23 janar 1944 në Tiranë. Vlerësimin e përgjithshëm për figurën e tij mund ta marrim nëpërmjet titujve të gazetave kryesore të Tiranës të atij janari të vitit 1944, – të cituara nga libri i Dr. Shyqyri Hysit me titull “Rauf Fico, shtetar dhe diplomat i shquar”, – të tillë si “Vdekja e një patrioti të shquar”, “Funeralet e patriotit të shquar”, “Rauf Fico, atdhetar i shquar”, “I ndieri Rauf Fico”, “Patrioti i Madh, Rauf Fico, ndërroi jetë”, “Një humbje kombëtare”, etj. Përkushtimin e tij atdhetar Rauf Fico e tregoi në formë dhe në përmbajtje. Ka një përputhje interesante ndërmjet tij dhe një atdhetari tjetër po aq të shquar si Faik Konica. Ishin ata të dy, të vetmit, që për ditën e madhe të 28 nëntorit shfaqeshin në publik me kostume kombëtare. Dhe jo rastësisht qénë vetëm ata të dy që, si përfaqësues të Shqipërisë së pavarur në Gjermani dhe SHBA, protestuan ashpër për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët, më 7 prill 1939, i pari në Berlin dhe i dyti në Uashington.

Në vitet ’30, Faik Konica shkruante: “Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here