VIDEO/Rrezikon shembja e 12 katëshit tek Kodra e Shtufit, evakuohen 25 familjet

0
110

Një pallat 12-katësh rrezikon shembjen në pjesën e poshtme të Kodrës së Shtufit si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe masivit shtufor që ka bllokuar hyrjen.

Të 25 familjet që banojnë në këtë pallat janë evakuuar të gjitha nga policia, pasi përpos lëvizjes së themeleve, balta dhe masivi i dheut ka arritur deri në katin e dytë. Pallati është ndërtuar 10 vite më parë, ndërsa zona ka probleme me rrëshqitjen e dherave nga reshjet e dendura që kanë rënë në 24 orët e fundit në qarkun e Gjirokastrës.

Jo vetëm banorët e pallatit, por edhe banorët e tjerë dhe bizneset që ndodhen në këtë lagje janë në gatishmëri, pasi objekte të tjera mund të rrezikohen. Ky është pallati i dytë që rrezikon të shembet në Gjirokastër, pasi pak javë më parë banorët e pallatit 5-katësh në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës u evakuan, pasi rrezikonte shembjen nga rrëshqitja e dherave.

Ndërkohë që sot ka pasur probleme në Gjirokastër edhe në Virua, rruga është bllokuar si pasojë e daljes së liqenit. Probleme ka edhe në disa fshatra në Zhulat dhe Luftinjë, që janë bllokuar dhe nuk kanë energji elektrike prej 48 orësh.

Shkruaj nje koment