VIDEO/Rruga tek Kodra e Shtufit, del jashtë përdorimit, familjet evakuohen nga pallati 10 katësh

0
171

Janë 25 familje të cilat banojnë në pallatin 10 katësh në lagjen Kodra e Shtufit i cili rrezikon shembjen si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Jo vetëm banorët e pallatit, por edhe banorët e tjerë dhe bizneset që ndodhen në këtë lagje, janë në gatishmëri, pasi objekte të tjera mund të rrezikohen.

Ndërkaq që rruga kryesore për në lagjen Kodra e Shtufit, është shembur plotësisht duke shënuar kështu një rast të rrallë përsa i përket konstruktit të punimeve publike në këtë pjesë të Gjirokastrës. Rruga në 20 metra gjatësi, është shembur plotësisht si pasojë e volumit të lartë të baltës që vinte nga lartësitë shtufore. Asfalti, muret mbajtëse të betonuara me trashësi 1 metër, veprat e artit, janë shkatërruar plotësisht.

Sipas kreut të Zyrës së Emergjencave Civile në Bashkinë e Gjirokastrës Fatri Brahimi, familjet do të strehohen në konviktin e shkollës së mesme Pedagogjike, ndërsa të moshuarit në Azilin e Pleqve. Pallati është ndërtuar 10 vite më parë, ndërsa zona ka probleme me rrëshqitjen e dherave nga rreshjet e dendura që kanë rënë në 24 orët e fundit në Qarkun e Gjirokastrës.

Ky është pallati i dytë që rrezikon të shembet në Gjirokastër, pasi në fillim të muajit të kaluar, banorët e pallatit 5-katësh në lagjen “Punëtori” u evakuuan, pasi rrezikonte shembjen nga rrëshqitja e dherave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here