Kanë kaluar gati 48 orë nga reshjet e fundit të shiut në Qarkun e Gjirokastrës dhe problematikat në disa zona janë ende prezente.
Ndonëse Shtabi i Emergjencave Civile ndërmori menjëherë masa për të normalizuar situatën pas motit të keq, sërish disa rrugë rurale vijojnë të jenë ende të bllokuara si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe inerteve.
Sipas informacioneve nga Institucioni i Prefektit Gjirokastër, në Njësinë Administrative Picar, aksi Kolonjë-Golem vijon të jetë e pa kalueshme si pasojë e bllokimit të saj prej inerteve. Në njësinë Administrative Lunxhëri situata paraqitet problematike për rrugën Erind-Gjat e cila është e pa kalueshme nga mjetet dhe pjesërisht e bllokuar paraqitet rruga Nokovë-Mingul dhe Dhoksat-Këllëz.
Në Njësinë Administrative të Lazaratit rruga lidhëse e dy lagjeve në këtë fshat është e bllokuar, ndërkohë që sot po punohet për rehabilitimin e saj dhe kthimin në normalitet për banorët. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në bashkitë e tjera të Qarkut Gjirokastër si atë të Libohovës, Memaliajt, Dropullit, Këlcyrës dhe Përmetit, situata është normale, ndërkohë që në Bashkinë e Tepelenës vijon ende të jetë e bllokuar prej inerteve, rruga që lidh Njësinë Administrative Kurvelesh me qytetin e Tepelenës.
Përmbytjet dhe bllokimi i rrugëve janë disa problematika të mbartura prej vitesh në Qarkun e Gjirokastrës. Mjafton vetëm pak orë shi dhe shumë shpejt Gjirokastra apo dhe zonat rurale gjenden nën pushtetin e ujit, si dhe inerteve.