VIDEO/Aksident me vdekje ne Virua

0
525

Aksident me pasojë në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Ka qenë ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, kur ka ndodhur aksidenti, në të hyrë të Parkut Natyror të Viroit rreth 2.3 km në veri të Gjirokastrës, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe lëndimin e një tjetri. Mësohet se i vdekuri rreth moshës 30-vjeç dhe i lënduari rëndë, janë nga Tepelena. Emrat e tyre Policia Rrugore ende nuk i ka zbuluar për shkak të mungesës së një mjeti identifikues që vetë viktimat nuk e kishin. Sipas grupit të ekspertizës që ka mbërritur në vendngjarje, mësohet se dy personat që udhëtonin në automjet, kanë humbur kontrollin e autoveturës në momentin kur po hynin në rrugën me gjerësi të kufizuar nga bordurat mbrojtëse ndarëse përbri liqenit artificial. Automjeti tip Mercedes Benz me targa AA976OX, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 3 metra poshtë saj, në pjesën përballë liqenit të Viroit. Përplasja ka qenë aq e fortë, saqë ka shkulur nga vendi një bordurë mbrojtëse me gjatësi 2 metra dhe lartësi 1.2 metra. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës, duke e nxjerrë jashtë rrugës. Të dy personat që udhëtonin në të, mendohet se kanë qenë nën efektin e lëndëve psikotrope. Ky është aksidenti i pestë që ndodh në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Tepelenë për këtë vit, ndërkohë që në muajin korrik të këtij viti, një tjetër aksident pa pasojë ka ndodhur në të njëjtin vend ku ndodhi i sotmi.

Shkruaj nje koment