Kreu i PD Gjirokastër dhe kandidati për deputetë i listës së PD, Roland Bejko, ka premtuar për votuesit gjirokastritë se do të jetë njësh me ta, me hallet dhe problemet e tyre gjatë tubimit prezantues të kandidatëve për deputetë të PD në Qarkun Gjirokastër, ku ka marrë pjesë edhe vetë lideri i opozitës Lulzim Basha.
Zoti Bejko ka folur me fjalë të ngrohta duke rrëmbyer duartrokitjet mijëra të pranishmëve që kishin mbushur sheshin “Cerciz Topulli”.
“Nëse do të më besoni hallet tuaja, ato do jenë hallet e mia, problemet tuaja do jenë problemet e mia dhe nuk kam për të qenë model si ai deputeti që shkatërroi këtë sistem duke futur në administratën publike militantë partie duke u ndarë rrogën në katër pjesë”-duke nënkuptuar kandidatin e LSI për deputet, Vangjel Tavo.
Të pashpresët që janë mbledhur këtu e shikojnë të ardhmen tek Republika e Re me kryeministër Lulzim Basha-është shprehur Bejko.
Këtu kanë ardhur të rinj që nuk duan të ndjekin gjurmët e 7 mijë qytetarëve gjirokastritë që janë larguar në dy vjet pasi kjo qeveri i ka zhdukur njerëzit në mënyrë të heshtur duke kriminalizuar ekonominë dhe vrarë shpresën-u shpreh Bejko.
Zoti Bejko sërish ka sulmuar në mënyrë indirekte deputetin e LSI Tavo për subvencionet selektrive që ai shpërndan në Gjirokastër, në këmbim të votës.
“Sot kanë ardhur fermerët pa ferma sepse është dikush që i gënjen që u hap telefonat, që është i “gjendshëm” që i mashtron njerëzit dhe i thotë po të më jepni votën për mua 1x5x10 ju do të merrni subvencionet nga gruaja ime. Këta janë ata që kanë shembur sistemin. Pra këtë sistem që i takon republikës së vjetër ne do ta zhdukim dhe në vend të saj do të ndërtojmë Republikën e Re me kryeministër Lulzim Bashën dhe ekipin e tij-u shpreh Bejko duke e përmbyllur me fjalinë: “Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë sesa ne nuk ka”.
Bejko, duke bërë thirrje të votojnë PD më 25 qershor dhe alternativën më të mirë, Lulzim Bashën kryeministër.