Zona e banuar në Virua, vuan prej vitesh mungesën e infrastrukturës rrugore. Kjo pjesë e qytetit të Gjirokastrës dikur zonë e braktisur, është populluar në fillim të viteve ’90 nga banorë të ardhur prej fshatrave të Cepos.
Fillimisht aty u përqëndruan disa familje duke ndërtuar ku një barakë e ku një shtëpi përdhese, ndërsa në dhjetë vitet e fundit, po lulëzojnë vilat dhe banesat një katëshe. Kjo lagje pa emër e cila është 3 km në veri të Gjirokastrës, vuan mungesën e urbanizimit, krijimin e kushteve, si dhe mungesën e ndricimit, kanaleve të ujërave të zeza, apo dhe rrugës.
Asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë investim serioz në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërkohë që projekti është lënë gati nga ish kryetari i Bashkisë Flamur Bime, pasueses së tij Zamira Rami. Por kjo e fundit kur i ka mbetur edhe më shumë se një vit në krye të Bashkisë, nuk ka ndërmarrë asnjë projekt rehabilitues në terren ndonëse të 100 familjet janë taksapaguese të rregullta të taksave vendore.
Banorë të lagjes pa emër, shumë herë kanë ngritur zërin por deri më sot, as premtime nuk i’u është dhënë pa le më të shpresojnë për ndonjë mrekulli.