Hesapet mes PS dhe LSI në Gjirokastër janë të nxehta ndërkohë që sot kaluan në nivel institucional. Në Këshillin Bashkiak, këshilltarët e PS, me shumicë votash, i kanë hequr mandatin Bashkim Tolës i cili është njëkohësisht administrator i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Gjirokastrës. Argumenti i këshilltarëve të PS, qëndronte në faktin se këshilltari deri më dje i tyre dhe prej një viti, afër LSI, Bashkim Tola, e ka të papajtueshëm detyrën e tij në krye të ujësjellësit me përfaqësimin në Këshillin Bashkiak. Kërkesa është dorëzuar Komisionit të Mandateve 15 ditë më parë nga kreu i këshilltarëve të PS Petrit Brahimi dhe vetëm sot, u ciklua shkarkimi nga posti i këshilltarit të Bashkim Tolës. Votat e PS dhe të PD, kanë qenë vendimtare për heqjen e mandatit të Tolës nga legjislativi vendor ndërkohë që gjatë momentit të diskutimeve dhe aprovimit të kësaj kërkese, këshilltarët e LSI së bashku me Tolën, kanë braktisur mbledhjen. Tok me ta, mbledhja është braktisur edhe nga kryebashkiakia Zamira Rami e cila ka quajtur ilegjitim këtë vendim. Përfaqësuesi i PS në Këshillin Bashkiak Shkëlqim Guce argumenton vendimin e sotëm pasi është i papajtueshëm me ligjin dhe si rrjedhim, heqja e mandatit është veprim legjitim. Neve i kemi bërë thirrje këshilltarit Tola, që të mbajë një nga dy postet, ndërkaq ai i kërkonte të dyja, mirëpo ligji e përcakton shumë qartë, ose do të mbash postin legjislativ ose atë egzekutiv. Zoti Tola është pjesë e Bashkisë së Gjirokastrës pasi është drejtor i një agjencie që është në varësi të Bashkisë dhe si i tillë, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe këshilltar-u shpreh Guce. Ndërsa vetë Bashkim Tola, nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj PS dhe veprimit të kryer nga këshilltarët socialistë për heqjen e mandatit të tij. Ai ka bërë indirekt përgjegjës, lidershipin e PS në Gjirokastër, si dhe kandidatët për deputetë të PS. Tola nuk e quan papajtueshmëri pozicionin e tij në Këshillin Bashkiak me atë të administratorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve sepse kjo ndërmarrje është sh.a. dhe Bashkia është thjesht aksionere. Përfaqësuesi i LSI në Këshillin Bashkiak Thoma Ndreu ka folur me të njëjtën gjuhë me Tolën, por njëkohësisht u shpreh se veprimi i socialistëve, do të kthehet në bumerang më 25 qershor në zgjedhje, pasi kjo forcë e majtë do të ndëshkohet me votë dhe se LSI, do të fitojë në mënyrë spektakolare në Gjirokastër. Kreu i këshilltarëve të PD Roland Bejko, e cilësoi këtë ngjarje, si hesape mes kampit të Rilindjes. Sipas tij, PS dhe LSI, nuk e kanë mendjen në zbatimin e legjislacionit, por kur vjen puna në cënimin e interesave të tyre, nuk pyesin as ligj dhe as rregullore. Sipas tij, Tola duhej të ishte shkarkuar një vit e gjysëm më parë qysh kur u emërua në krye të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve nga ana e kryebashkiakes Rami, mirëpo në atë periudhë, ne si këshilltarë të PD, kërkuam heqjen e mandatit të Tolës por u refuzua nga këshilltarët e PS sepse ishin në muaj mjalti dhe se në atë kohë nuk kishte papajtueshmëri, ndërsa sot paska për socialistët-shprehet Bejko. Bashkim Tola u emërua drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve në prill të vitit të kaluar nga kryebashkiakia Zamira Rami pasi kjo e fundit shkarkoi padrejtësisht Dashmir Qelin e PS cka u kundërshtua nga kjo e fundit. Përzgjedhja e Tolës nga Rami në krye të ujësjellësit, ishte vetjake dhe jo propozim nga PS. Prej asaj dite, Bashkim Tola pavarësisht se figuronte këshilltar i PS, bashkonte votat shumë herë me LSI.