VIDEO/Plasin ujërat e zeza tek salla e kirurgjisë në spital, pacientet ne arrati

0
757

Dëmtimi dhe nxjerrja jashtë funksionit e sallës së operacioneve në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ka sjellë ndërprerjen e të gjitha ndërhyrjeve kirurgjikale në të. Shkak është bërë përmbytja si pasojë e rrjedhjes së ujërave të bardha dhe të zeza, një kat më sipër. Gjithcka është mbajtur konspirative nga drejtues të spitalit, deri sa familjarë të pacientëve që prisnin të operoheshin, janë larguar të dëshpëruar duke i përcjellë drejt Spitalit të Fierit apo dhe të Tiranës. Jugunews.net nuk është lejuar të marrë pamje nga brenda sallës ku ndodhen dhomat e ndërhyrjeve kirurgjikale. Ndërkaq, infermierë të pavionit kirurgjikal, shprehen se bëhet fjalë për një katastrofë të vërtetë në prag epidemie të përgjithshme. Të tre sallat e operimit, janë kontaminuar me mbetje të lëngshme si pasojë e rrjedhjes nga sipër të tubacioneve të ujërave të zeza e të bardha duke ndërprerë në mënyrë të rrufeshme, të gjithë ndërhyrjet kirurgjikale. Sipas shefit të Pavionit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani”, Murat Kaci, bëhet fjalë për rrjedhje të pakontrolluar të ujërave të bardha nga një kat më sipër cka pikoi në dhomat e kirurgjisë një kat më poshtë. Prej ditës së premte e deri më sot, u është refuzuar ndërhyrja kirurgjikale, 20 pacientëve që prisnin radhën. Këta të fundit, janë dërguar drejt Spitalit të Fierit dhe Tiranës. Investimi më i fundit në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve, 4 milionë euro në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Vangjel Tavo dhe shef i prokurimeve në Ministri, ishte Krenar Kulla, sot drejtor i Spitalit Rajonal ndërkohë që sot, ky objekt, paraqitet me probleme të shumta në strukturë edhe pas këtij investimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here