Kandidati për deputet i PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko, ka kontaktuar me tregtarë ambulantë dhe fermerë të zonës së Ballabanit në Këlcyrë.
Zoti Bejko, në këtë takim shoqërohej nga kandidati tjetër për deputet i Përmetit Arjan Kasaj, si dhe nga drejtues vendorë të opozitës. Bejko, ka qenë i interesuar për ecurinë e prodhimtarisë së fermerëve të zonës, tregjet që ata kanë siguruar për të shitur produktet e tyre, si dhe problemet e shumta me të cilët ata ndeshen.
Nga ana e tyre, tregtarët ambulantë të Ballabanit dhe fermerët, kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e subvencioneve të cilat sic janë shprehur ata, nuk kanë përfituar. Vetë zoti Bejko, ka premtuar se qeveria e re, do të ketë në konsideratë reformën në bujqësi ku fermerin do ta mbështesë dhe subvencionojë me qëllim stimulimin e produkteve vendase. Ne në programin tonë-është shprehur Bejko-kemi subvencionim të drejtpërdrejtë për fermerin dhe kjo, për të shmangur pengesat e deritanishme. Ndërsa i pyetur për pensionet, kandidati për deputet i PD Roland Bejko, premtoi se minimumi i pensionit do të jetë në vlerën e 250 mijë lekësh të vjetra.
PD ka një program të shkëlqyer mbështetës për shtresat në nevojë dhe për pensionistët ndaj ju ftoj, që të votoni nr 6 në fletën e votimit, se aty është zëri juaj për një Shqipëri të mirë dhe normale për të gjithë ne-është shprehur zoti Bejko.