VIDEO/Shkrumbohet banesa Krongo në Pazarin e Vjetër, s’ka viktima vecse dëme materiale

0
409

Një zjarr ka përfshirë në orët e mëngjesit të së dielës, banesën e Grigor Krongos në lagjen “Pazari i Vjetër” në qytetin e Gjirokastrës. Të parët që diktuan zjarrin, kanë qenë komshinjtë aty pranë banesës së braktisur nga pronarët e shtëpisë. Ata kanë informuar zjarrëfikëset për tymin që fillimisht dilte nga kati i sipërm i banesës ndërkohë që me të mbërritur zjarrëfikësit, zjarri doli në sipërfaqe të saj duke përpirë pjesën e sipërme të tavanit e më pas catinë. Zjarrëfikësit, kanë lokalizuar flakët që mos të depërtonin në banesat aty ngjitur me shtëpinë që gjendej nën zjarr dhe pasi kanë siguruar perimetrin e lejuar, kanë ndërhyrë energjikisht për të shuar flakët që kanë shkrumbuar komplet katin e dytë të banesës Krongo. Sipas kreut të Shërbimit Zjarrëfikës të Gjirokastrës Kujtim Bizhga, zjarri nuk është shkaktuar nga ndonjë masë elektrike por mendohet se kanë qenë dy endacakë ata që kanë ndezur zjarr për tu ngrohur në katin e dytë. Banesa Krongo, rezulton në listën e objekteve të mbrojtur nga shteti. Ajo është banesë e Kategorisë së Dytë dhe ndodhet në zonën historike muzeale të qytetit të Gjirokastrës, poshtë këmbës së kështjellës së qytetit.

Shkruaj nje koment