Inspektimi kufitar, kontrolli, mbikqyrja dhe rritja e sigurisë kufitare në të dy anët e kufirit, ka qenë shkaku i takimit dy palësh të organizuar mesditën e sotme në Kakavije, mes kreut të Policisë Kufitare të Shqipërisë Genc Merepeza dhe homologes greke Gjenerale.Xaharula Tsirigiti. Dy këta të fundit, kanë zhvilluar paraprakisht një takim pa prezencën e medias, e më pas, kanë vijuar inspektimet në zonën e kontrollit të pasaportave dhe kalimit kufitar, procedurat që ndiqen e në vazhdim, vizituar ambjentet e skanerit në Doganën e Kakavijes, ku kryhet kontrolli i automjeteve të mëdha që vijnë nga Greqia, drejt Shqipërisë. Ky skaner, mungon në pjesën greke të Kakavijes dhe kjo ka shtyrë drejtuesen Greke të Policisë Kufitare, që të shikojë nga afër, aktivitetin që kryen skaneri i instaluar. Sipas kreut të Policisë Kufitare Shqiptare Genc Merepeza, mes dy policive, egzistojnë projekte të përbashkëta që kanë për qëllim, luftën kundër trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmin ndërkombëtar ndërkufitar. Ndërkaq homologia greke Tsirigiti, u shpreh se qëllimi është bashkëpunimi dy palësh në luftën ndaj fenomeneve që gjenerojnë në të dy anët e kufirit.
Takimi i sotëm, i organizuar në Kakavijen shqiptare, u pasua nga një takim i radhës në Kakavijen Greke.